Nënshkruhet marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Akademisë së Shkencave të Shqipërisë

28 Nëntor 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, dhe kryetari i Akademisë Shkencave të Shqipërisë, akademik Skënder Gjinushi, kanë firmosur marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet dy institucioneve që i drejtojnë.

Për nënshkrimin e memorandumit u shprehën të lumtur rektori Sahiti dhe akademiku Gjinushi. Të dyja palët shprehën gatishmërinë për implementimin e marrëveshjes sipas konditave të parapara në këtë dokument dhe në të mirë të të dyja institucioneve dhe vendeve që i përfaqësojnë.

Drejtimet kryesore të bashkëpunimit, të përcaktuara në marrëveshje, do të jenë në të gjitha fushat e dijes, me përparësi shkencat me më shumë interes të përbashkët, si gjuhësia, letërsia, historia, arkeologjia, antropologjia, shkencat sociale, shkencat juridike/ekonomike, fushat artistike, trashëgimia kulturore, shkencat natyrore, shkencat inxhinierike dhe shkencat mjekësore.

Në këtë marrëveshje parashihet bashkëpunim edhe në disiplinat që lidhen me çështje me rëndësi jetësore dhe të ngutshme, si: bioteknologji, nanoteknologji, qëndrueshmëri mjedisore dhe energjetike, menaxhim i fatkeqësive, pandemive dhe krizave sociale, inteligjencë artificiale etj., si dhe për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta shkencore, si: kuvende, kongrese, konferenca, forume, simpoziume etj.

Dy institucionet do të bashkëpunojnë për kryerjen e studimeve të përbashkëta; për aplikimin dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta shkencore vendore, rajonale dhe evropiane; për nxitjen dhe promovimin e studiuesve të rinj dhe për hartimin e strategjive të zhvillimit dhe të akteve normative në zbatim të tyre.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, përfaqësues të trupës së UP-së, bazuar në kërkesat nga Akademia e Shkencave, do të përfshihen sipas fushave në komisionet e përhershme shkencore që funksionojnë pranë saj; në njësitë e reja të kërkimit shkencor, ngritur pranë saj etj.

Bashkëpunimi do të jetë gjithashtu në organizimin dhe zhvillimin e konkurseve shkencore për çmimet kombëtare vjetore, të shpallura prej saj, në të gjitha fazat e tyre; për hartimin e programeve të veçanta të studimeve universitare për shkallët “master” e “doktoratë”, si dhe për implementimin e aktiviteteve shkencore brenda tyre.