UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Agjencinë Austriake për Arsim dhe Ndërkombëtarizim

13 Tetor 2021
SHARE

Në Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u nënshkrua marrëveshje e bashkëpunimit ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Agjencisë Austriake për Arsim dhe Ndërkombëtarizim (OeAD).

Memorandumi i nënshkruar nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti dhe drejtori gjeneral i OeAD-së, Jakob Calice, ka për synim fuqizimin e bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe institucioneve austriake të arsimit të lartë në mbështetjen e gjuhës gjermane dhe shpërndarjen e kulturës dhe diversitetit historik të vendeve gjermanofolëse.

Në takimin e nënshkrimit të memorandumit, rektori Sahiti ishte i shoqëruar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, ndërkaq, OeAD-ja u përfaqësua nga znj. Monika Mott, udhëheqëse e Departamentit për bashkëpunim në arsim për Evropën Lindore dhe Juglindore. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe përfaqësuesi i Ambasadës Austriake në Kosovë, z. Martin Schaller dhe lektorja, znj. Verena Walzl.

I lumtur për nënshkrimin e këtij memorandumi u shpreh rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti. Ai e falënderoi OeAD-në për bashkëpunimin e frytshëm që ka pasur me UP-në ndër vite, si dhe theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të UP-së me ambasadën austriake dhe organizata të tjera gjermanofolëse.

Me anë të këtij memorandumi mundësohet angazhimi i një lektori të gjuhës gjermane në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në UP. Ky memorandum, me anë të personit të angazhuar në këtë pozicion, parasheh orientimin dhe ofrimin e ndihmesës për studentët që dëshirojnë të studiojnë në Austri, organizimin e aktiviteteve jashtëkurrikulare, mbështetjen e departamentit në organizimin e aktiviteteve shkencore, e të tjera forma të bashkëpunimit, të cilat do t’u shërbejnë studentëve dhe stafit të Departamentit të Gjuhës dhe Letërsisë Gjermane në Fakultetin e Filologjisë dhe UP-së në tërësi.