Studentët informohen për mundësitë e studimit jashtë vendit në kuadër të Erasmus+ Days

14 Tetor 2021
SHARE

Harta e Erasmus+ ka vende edhe për ju, falë numrit të madh të marrëveshjeve që Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka me universitete evropiane, në kuadër të programit Erasmus+ të Bashkimit Evropian. Ky ishte mesazhi që u përcoll në takimin e organizuar nga Zyra për Bashkëpunim Ndërkombëtar e UP-së me studentë, te cilët u informuan rreth mundësive për shkëmbime në universitete evropiane dhe në Turqi, aktivitet i cili u organizua në kuadër të Ditëve të Erasmus+, të cilat po shënohen në të gjitha universitetet evropiane që janë pjesë të këtij programi të Bashkimit Evropian.

Prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar në UP, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, i inkurajoi studentët që të përfitojnë nga mundësitë e shumta që ofron UP-ja nëpërmjet programit Erasmus+.

Universiteti i Prishtinës është universiteti vendor me më së shumti marrëveshje bashkëpunimi në kuadër të programit Erasmus+. Përvojat që ky program sjell, shndërrohen në një pasuri profesionale dhe personale për ju. Andaj, bëhuni pjesë e komunitetit të studentëve që kanë përfituar nga ky program,” ishin fjalët e prorektores Blakaj drejtuar studentëve.

Gjatë sesionit informues, stafi nga Zyra për Marrëdhënie me Jashtë ka informuar studentët me mundësitë që ofrohen për shkëmbime, mënyrën e aplikimit dhe të gjitha informatat e nevojshme për t’u bërë pjesë e këtyre shkëmbimeve.

Universiteti i Prishtinës, për semestrin pranveror 2021/2022, aktualisht ka të hapura thirrjet për aplikim në disa universitete prestigjioze, prandaj studentët u inkurajuan që të aplikojnë dhe në këtë mënyrë të përjetojnë mundësinë e studimit jashtë vendit.

Erasmus+ është një program bashkëpunimi dhe mobiliteti në fushën e arsimit të lartë, që synon të rrisë cilësinë e arsimit të lartë evropian ndërmjet vendeve të BE-së dhe vendeve të rajonit. Në kuadër të partneriteteve për bashkëpunim, Erasmus + Mobility mundësohet lëvizshmëria, shkëmbimi i studentëve dhe stafit akademik në fushën e arsimit të lartë.

Përmes këtij programi, rreth 120 studentë tanë këtë semestër akademik do ta ndjekin në njërin nga universitetet partnere të UP-së, një numër i madh i stafit akademik dhe administrativ kanë përfituar nga shkëmbimet akademike dhe profesionale, ndërkaq, shumë projekte janë në proces të implementimit nga UP-ja, në bashkëpunim me universitete nga Evropa dhe Turqia.

Për thirrjet e hapura në kuadër të Erasmus+, klikoni këtu https://uni-pr.edu/page.aspx?id=1,39