Rektori Sahiti takoi shefen e Zyrës Greke në Kosovë, znj. Constantina Athanassiadou

29 Shtator 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, priti sot në takim shefen e Zyrës Greke në Kosovë, znj. Constantina Athanassiadou. Rektori Sahiti në këtë takim ishte i shoqëruar nga prorektorja për marrëdhënie ndërkombëtare e UP-së, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj, dhe prorektori për zhvillim dhe cilësi, prof. ass. dr. Elton Bahtiri.

Rektori Sahiti e falënderoi znj. Athanassiadou për inicim të takimit dhe ndau me të shkurtimisht sfidat e mësimit online dhe përgatitjet për fillimin e vitit të ri akademik. Sahiti shprehu gatishmërinë e Universitetit të Prishtinës që, së bashku me Zyrën Greke në Kosovë, të gjejnë rrugë të reja të bashkëpunimit, të cilat do t’u ndihmonin studentëve të UP-së dhe atyre grekë, e prej këtej edhe të punojnë së bashku në avancimin e raporteve midis dy vendeve.  

Në këtë drejtim, ambasadorja, znj. Athanassiadou, tha se ata janë të gatshëm të punojnë në lehtësimin e rrugëve të UP-së në krijimin e bashkëpunimeve me universitete greke. “Ne jemi këtu për të hapur rrugë të reja të bashkëpunimit dhe interesi im më i madh është në promovimin e kulturës dhe gjuhës greke në Kosovë,” theksoi ajo.

Të dyja palët u dakorduan që të shikojnë mundësitë e bashkëpunimit, fillimisht përmes programeve për mobilitete të studentëve dhe stafit të Bashkimit Evropian, si dhe marrëveshjeve të veçanta, përfshirë këtu edhe mundësinë që studentët e UP-së, në kuadër të programit të Ballkanistikës, në vitin e ardhshëm të kenë mundësinë ta mësojnë gjuhën greke si gjuhë të dytë ballkanike.