Rektori Sahiti dhe ambasadorja e Francës, znj. Butel, dakordohen për thellim të bashkëpunimit

28 Shtator 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim ambasadoren e Republikës së Francës në Kosovë, znj. Marie-Christine Butel.

Rektori Sahiti u shpreh i nderuar nga vizita e ambasadores Butel në Rektoratin e UP-së. Ai e njoftoi ambasadoren me vizitën që së fundi ka pasur në shtetin francez, ku në Strasbourg, UP-ja ka nënshkruar memorandum të bashkëpunimit me Fondacionin Rene Cassin - Instituti Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut.
“Universiteti i Prishtinës ka një numër të konsiderueshëm bashkëpunimesh me universitete e organizata franceze, në kuadër të programeve të BE-së dhe jo vetëm. Zgjerimi i bashkëpunimit në dhënien e diplomave të përbashkëta me universitete franceze, jo vetëm në doktoratë, por edhe studimet master është më shumë interes për UP-në” theksoi rektori Sahiti, i cili vuri në pah gatishmërinë e UP-së për ta thelluar tutje partneritetin.

Në anën tjetër, ambasadorja Butel theksoi që bashkëpunimi me UP-në, për Ambasadën, por edhe për universitetet franceze tashmë është shndërruar tashmë në traditë. Ajo e falënderoi Rektorin për pritjen dhe për kultivimin e gjertanishëm të bashkëpunimit me Francën.

Në këtë takim, palët u dakorduan për zgjerim të bashkëpunimit ndërmjet UP-së dhe universiteteve e organizatave franceze, me qëllim promovimin e frankofonisë, shfrytëzimin e kapaciteteve të UP-së në thellimin e partneritetit ndërmjet të dyja shteteve dhe në veçanti implementimin e marrëveshjes së bashkëpunimit për diploma të përbashkëta ndërmjet UP-së dhe Universitetit  Côte d'Azur në Francë.