Për studentët e UVP-së mbahet ligjëratë për promovimin e trashëgimisë dhe kulturës në Kosovë

08 Korrik 2021
SHARE

Në kuadër të Universitetit Veror Ndërkombëtar të Prishtinës u mbajt ligjërata me titull “Newborn and oldcorn: food, heritage and culture in Kosova”, ligjëruar nga prof. ass. dr. Arsim Canolli profesor në Departamentin e Antropologjisë të Fakultetit Filozofik.

Studentët ndërkombëtarë dhe ata vendorë, përmes prezantimit të profesorit Canolli, patën mundësinë që të informohen më shumë mbi ushqimin, trashëgiminë dhe kulturën e Kosovës. Për më tepër, studentët mësuan për pozitën gjeografike, të kaluarën e Kosovës, diversitetin etnik dhe fetar, si dhe pasuritë natyrore të vendit tonë.

Prezantimi gjithashtu kishte për fokus edhe ndryshimet në kuzhinën kosovare pas përfundimit të luftës, përkatësisht llojllojshmërinë e ushqimeve në kuzhinat e Kosovës, pastaj trendët rreth interierit në gastronominë kosovare, si dhe vendet rekreative. Profesor Canolli theksoi edhe faktorët që kanë ndikuar në standardizimin e kuzhinës tradicionale.

Një nga ushqimet tradicionale që u shpjegua në detaje në këtë ligjëratë ishte edhe flija, si ushqim tradicional që përdoret shpesh në tryezat tona, qoftë në shtëpitë tona, poashtu edhe në ngjarjet zyrtare.

Gjatë këtij edicioni të UVP-së, përveç në 14 kurset të cilat mbulojnë fusha të ndryshme studimi, studentët mund të marrin pjesë edhe në punëtoritë dhe aktivitetet e ndryshme kulturore, të cilat janë përgatitur në kuadër të këtij programi.