Rektori Sahiti dhe ambasadori i Turqisë, z. Sakar, diskutojnë për thellim të bashkëpunimit

11 Shkurt 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim ambasadorin e Republikës së Turqisë në Kosovë, z. Çağrı Sakar. Në delegacionin turk, që e vizitoi sot UP-në, i pranishëm ishte edhe koordinatori i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) në Kosovë, z. Cihan Dinçer.

Rektori Sahiti e falënderoi ambasadorin për vizitën e bërë si dhe për bashkëpunimin e gjertanishëm me UP-në. “Kam pasur rastin t’i vizitoj disa universitete turke dhe çdoherë jam ndjerë sikur në shtëpinë time, falë bashkëpunimit të mirë dhe mikpritjes. Ne jemi të interesuar që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe më tutje, përmes marrëveshjeve specifike dhe në projekte të veçanta,” tha rektori.

Në anën tjetër, ambasadori Sakar i uroi suksese rektorit Sahiti në mandatin e tij në krye të UP-së. Ai shtoi që Turqia e mbështet Kosovën në rrugëtimin e saj, në veçanti në fushën e edukimit. “Ne jemi të interesuar në ngritjen e numrit të mobiliteteve të stafit dhe studentëve, si dhe të ndihmojmë hulumtuesit e rinj kosovarë,” theksoi ambasadori.

Ndërkaq, koordinatori i TIKA-s, z. Dinçer, tha se TIKA ka kultivuar bashkëpunim të mirë me Fakultetin e Filologjisë dhe Fakultetin e Bujqësisë dhe të Veterinarisë në UP, si dhe në të ardhmen po synon që të ndihmojë në ndërtimin e laboratorëve të rinj në kuadër të Universitetit.

Të dyja palët pjesëmarrëse në këtë takim u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit përmes projekteve të përbashkëta për studentë dhe staf.