UP-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me Odën e Afarizmit të Kosovës

29 Dhjetor 2020
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka nënshkruar sot marrëveshje të bashkëpunimit me Odën e Afarizmit të Kosovës, me qëllim të shkëmbimit dhe ofrimit të këshillave profesionale për bizneset në fusha të ndryshme, si dhe studentëve të fakulteteve të ndryshme të UP-së t’u mundësohet të vijojnë praktika profesionale pranë bizneseve anëtare të OAK-së.

Marrëveshja u nënshkrua nga rektori i UP-së, prof. dr. Naser Sahiti, dhe kryetari i bordit të OAK-së, z. Skënder Krasniqi.

Nënshkrimin e memorandumit e përshëndeti rektori Sahiti, i cili shtoi se UP-ja ka të nënshkruara një varg marrëveshjesh me universitete dhe institucione vendore e ndërkombëtare, të cilat është i interesuar t’i implementojë, ndërkaq e vlerëson lart edhe lidhjen e bashkëpunimit me OAK-në.

Në anën tjetër, z. Krasniqi tha se me këtë memorandum po synohet që gjatë studimeve, studentët të aftësohen edhe për punë profesionale, duke shtuar se vendi ynë po ballafaqohet me humbje të mëdha të vendeve të punës, sidomos në periudhën e fundit.

Memorandumi i nënshkruar sot parasheh edhe organizimin e simpoziumeve, konferencave, trajnimeve dhe seminareve të përbashkëta, këmbimin e përvojave dhe informatave profesionale nga fusha e interesit të përbashkët, si dhe bashkëpunimin edhe në fusha tjera, krahas fushave dhe veprimtarive që ushtrojnë të dyja subjektet.