Rektori Sahiti takon përfaqësues të projektit HERAS Plus – diskutohet rreth implementimit të këtij projekti

20 Tetor 2020
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, ka pritur sot në takim përfaqësues të projektit HERAS Plus, të kryesuar nga lideri i projektit, z. Aqim Emurli.

Në këtë takim, rektori Sahiti ishte i shoqëruar nga prorektorja për bashkëpunim ndërkombëtar, prof. asoc. dr. Albulena Blakaj.

Takimin e hapi rektori Sahiti, i cili u dëshiroi mirëseardhje në rektoratin e UP-së përfaqësuesve të këtij projekti, teksa theksoi vullnetin e UP-së për bashkëpunim të mëtutjeshëm në implementimin projektit.
“Dua të theksoj që menaxhmenti i UP-së është shumë i interesuar në thellimin e bashkëpunimit me të gjithë partnerët që, në një formë apo tjetër, do t’i kontribuojnë ngritjes së cilësisë dhe mirëfunksionimit të UP-së,” tha Sahiti.

Në anën tjetër, lideri i projektit, z. Emurli, informoi rektorin Sahiti dhe prorektoren Blakaj rreth projektit HERAS Plus, duke u fokusuar te zhvillimi i aktiviteteve, nga të cilat mund të përfitojnë institucionet e arsimit të lartë, në veçanti UP-ja. Ai vlerësoi lart edhe bashkëpunimin e gjertanishëm me UP-në në kuadër të projekteve paraprake të HERAS.

Në vijim të këtij takimi dypalësh, u diskutuan më në detaje nismat me të cilat do të fillonte implementimi i projektit HERAS Plus. Palët u pajtuan që të zhvillojnë takime të rregullta me qëllim thellimin e bashkëpunimit të ndërsjellë.