CERTIFIKOHEN STUDENTËT QË PËRFUNDUAN PRAKTIKËN NË QZHK

30 Shtator 2020
SHARE

Në sallën e senatit të Rektoratit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” është mbajtur ceremonia e certifikimit të praktikantëve të Qendrës për Zhvillim të Karrierës në UP.

Praktikantët, për certifikimin e tyre, i uroi rektori i UP-së, prof. dr. Marjan Dema. Ai i porositi studentët që këto njohuri të përfituara nga praktika t’i shfrytëzojnë në profesione dhe përditshmëri të tyre. “Puna vullnetare është virtyt. Ne ju falënderojmë dhe ju jemi shumë mirënjohës për kontributin e dhënë në Universitetin e Prishtinës”, tha rektori Dema.

Në anën tjetër, Leutrim Pajaziti, student në Fakultetin Juridik, është njëri nga praktikantët, i cili konsidëron që praktika ka ndikuar pozitivisht në formimin e tij. “Mundësia për të kryer praktikën në Qendrën e Karrierës ka qenë e jashtëzakonshme, duke marrë parasysh faktin që kemi fituar njohuri të reja në shumë fusha. Por, më e veçanta ka qenë që këto njohuri e përvoja kemi pasur mundësi t’i transferojmë te studentët e tjerë”, potencoi Leutrimi.

Nderkaq, prorektorja për Zhvillim dhe Cilësi, prof. asoc. dr. Merita Koçinaj-Berisha, theksoi se puna praktike i bën studentët më të aftë dhe më konkurrentë në tregun e punës.

Tetë praktikantët e certifikuar sot kanë zhvilluar pesë muaj praktikë në Qendrën për Zhvillim të Karrierës në UP.

Ky program i punës praktike iu ndihmon studentëve që t’i zbulojnë fushat e tyre të interesit, si dhe ta kenë më të qartë se në cilën punë specifike dëshirojnë që të punësohen në të ardhmen.