Mësimi virtual, një tjetër storie suksesi e Universitetit të Prishtinës

16 Qershor 2020
SHARE

Vitin akademik 2019/2020 në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, studentët e përmbyllën më ndryshe se herëve të tjera. Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19, ata e përfunduan semestrin në platformën “Google Meet” e jo si në të kaluarën, në sallat e fakulteteve.

E gjithë këtë proces të mësimit virtual studentët dhe profesorët e vlerësojnë si shumë efektiv.

Dafina Maxhuni, studente në nivelin master në Fakultetin Juridik të UP-së, falënderoi profesorët e saj për komoditetin që i kanë dhënë në ligjëratat online.
“Këto ligjërata kanë qenë të suksesshme ngase ka pasur pjesëmarrje të njëjtë të studentëve që zakonisht janë të pranishëm fizikisht në ligjërata. Gjithashtu ka pasur edhe interaktivitet ndërmjet studentëve dhe profesorëve. Për sa u përket këtyre të fundit, ata na kanë bërë të ndihemi sikurse jemi në sallat e fakulteteve”, tha Dafina.


Edhe për Aureol Zeqirin, student i Fakultetit të Mjekësisë në UP, fakultet i cili prin me numrin e ligjëratave virtuale, kjo formë e mësimit ka qenë shumë efektive.
“Studentët duket të ishin më të interesuar, mungesa e zhurmës gjatë ligjëratave është më se evidente dhe kapërcimi i çështjeve teknike si veshja, shkuarja në fakultet, mbajtja e qëndrimit trupor korrekt poashtu i bëri më të këndshme këto ligjërata”, tregoi Aureoli.

Ndërsa ma. Alban Zeneli, ligjërues në Departamentin e Gazetarisë, tha se UP-ja me mësimin online edhe një herë e dëshmoi se është institucioni prijatar i arsimit të lartë.
“Mësimi online në UP ka filluar në kohë rekorde. Vetëm pesë ditë pas ndërprerjes së mësimit të rregullt, inxhinierët e Teknologjisë Informative të UP-së kanë bërë të mundur teknikisht mbajtjen e mësimit, gjë për të cilën meritojnë të falënderohen”, tha Zeneli. Ndër të tjera, profesori tregoi se studentët ia kanë dalë mirë me mësimin online dhe se, sipas tij, për shkak të afërsisë së tyre me teknologjinë, ata kanë qenë më aktiv sesa në mësimin tradicional.

Kjo mënyrë virtuale e mësimit erdhi pas vendimit të menaxhmentit të UP-së për mbrojtjen e studentëve dhe stafit nga koronavirusi. Prej fillimit të aplikimit të kësaj forme e deri dje, ditë kjo në të cilën mbaroi zyrtarisht ky semestër, në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” janë mbajtur 98,475 ligjërata online.