Studentja e Universitetit të Prishtinës krijon ekspozitë në karantinë

04 Maj 2020
SHARE

Copëzat nga përditshmëria e saj në këtë kohë pandemie, Fjolla Ferati, studente në Departamentin e Grafikës në Fakultetin e Arteve, i sjell përmes ekspozitës së saj të titulluar “Izolimi”.

Kjo periudhë e vetizolimit duket të jetë mjaft produktive për Fjollën, sepse të gjitha pikturat e kësaj ekspozite janë realizuar gjatë periudhës së pandemisë. Këto piktura janë të shoqëruara me mbishkrime, të cilat shpërfaqin gjendjen emocionale të artistes në karantinë.
“Ekspozitën e kam titulluar të tillë për shkak të gjendjes në të cilën ndodhemi, sepse çdo pikturë përmban në vete një copëz të rutinës sime në këto ditë të karantinimit,” tha Fjolla.

Punimet e kësaj ekspozite, të realizuara me laps, Fjolla thotë se i kanë ngjallur motivin për të punuar gjatë kohës sa po qëndron në shtëpi.

Ndonëse të gjitha pikturat i ka realizuar me shumë dëshirë, Fjolla veçon njërën nga to.
“Do ta veçoja një pikturë,në të cilën kam paraqitur një vajzë, të cilës duket sikur po i del tym nga flokët e saj, duke paraqitur kështu mërzitjen dhe zemërimin tim gjatë kësaj kohe”, tregoi Fjolla.

Pavarësisht gjendjes, Fjolla thotë se kjo periudhë ka qenë mjaft produktive dhe i ka mundësuar asaj që të krijojë ekspozitën e parë personale e të punojë më shumë në realizimin e artit të saj, prandaj ajo i fton edhe studentët tjerë ta bëjnë një gjë të tillë.

Gjithë kjo punë dymujore e studentes sonë, pas përfundimit të pandemisë, pritet që të ekspozohet para publikut në ndonjë nga galeritë e Prishtinës.