UP-ja dhe Universiteti Caen në Normandi shqyrtojnë mundësinë e rritjes së shkëmbimeve dhe bashkëpunimit në projekte

15 Prill 2024
SHARE

Gjatë vizitës në Universitetin Caen, rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, së bashku me drejtoreshën e Zyrës për Bashkëpunim Ndërkombëtar në UP,  dr. Lumnije Bajrami, si dhe profesoreshën Valbona Berisha, ka zhvilluar disa takime pune.

Një nga këto takime ishte edhe me zv/presidentin e  Universitetit Caen, profesorin Christophe Rochais, me ç’rast u diskutua për marrëdhëniet e bashkëpunimit mes dy universiteteve dhe perspektivat për të ardhmen. Në fokus të diskutimeve kanë qenë mundësitë e zgjerimit të fushave të studimit, për shkëmbimin e stafit dhe studentëve, bashkëpunimi në projekte të përbashkëta si dhe në zhvillim të programeve të përbashkëta.

Delegacioni nga UP-ja ka pasur edhe një takim mikpritës me drejtorin e Carré International, profesor Yohann Bread, si dhe disa zyrtarë të tjerë të nivelit udhëheqës të universitetit partner.

Në kuadër të vizitës, delegacioni zhvilloi takime edhe me drejtues të disa departamenteve dhe njësive akademike të Universitetit të Caen Normandie, duke filluar nga shkolla e Inxhinierisë dhe Fakulteti i Shkencave Shoqërore dhe Humaniste. Gjatë këtyre takimeve, delegacioni është informuar nga prezantimet dhe bisedat e hollësishme, të cilat ndihmuan në njohjen e mëtejshme të strukturës dhe programeve të universitetit pranë partnerëve tanë.

Delegacioni kishte gjithashtu mundësinë të takonte studentet Violeta Kastrati dhe Arbenita Aliu, të cilat janë duke realizuar mobilitetin në kuadër të partneritetit të programit Erasmus. Studentet nga UP-ja e njoftuan rektorin Qerimi dhe delegacionin në lidhje me përvojën e tyre dhe vlerësuan lart përfitimet që kanë pasur nga ky shkëmbim, që mundësohet si rrjedhojë e partneritetit të UP-së dhe Universitetit Caen në kuadër të programit ICM në Erasmus. 

Ditën e dytë të vizitës, delegacioni iu bashkua ambasadorit të Kosovës në Francë, Mehdi Halimi, për takime të tjera të rëndësishme me drejtuesit dhe përfaqësuesit e Universitetit të Caen Normandie. Diskutimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme akademike dhe kulturore.

Në fund të vizitës, delegacioni vizitoi laboratorët dhe qendrat e kërkimit në universitetin francez, duke njohur më afër strukturën dhe kapacitetet e tyre.

Në takimet me udhëheqësit e departamenteve të ndryshme, rektori Qerimi dhe drejtoresha Bajrami diskutuan për një gamë të gjerë të mundësive për shkëmbime studentore, duke përfshirë shkëmbimet semestrale, pjesëmarrjen në Universitetin Veror Ndërkombëtar të Prishtinës dhe në aktivitete të tjera akademike dhe kulturore. Po ashtu, u bisedua për mundësitë e angazhimit në praktikë në Kosovë për studentët francezë si dhe praktika e studentëve të UP-së në Caen.

Palët u pajtuan për thellimin e bashkëpunimit në këto fusha dhe për rritjen e informacionit për studentët nga të dy vendet lidhur me këto mundësi të shkëmbimit.

Vizita e delegacionit të UP-së në Universitetin e Caen Normandie ishte një hap i rëndësishëm në forcimin e lidhjeve dhe bashkëpunimit mes dy institucioneve të larta të arsimit në Kosovë dhe Francë. Si e tillë, ajo u shënua nga një atmosferë miqësore dhe ndërveprim i hapur për të ardhmen e bashkëpunimit.