Profesori Bruno S. Sergi, që ligjëron për “ekonominë e tregjeve të reja në Azi dhe Evropën Lindore” dhe “Ekonominë Politike të Kinës dhe Rusisë” në Universitetin e Harvardit, ka qëndruar për vizitë disa-ditore në UP.
Prof. Sergi ligjëron edhe në Universitetin e Messina-s në Itali dhe është hulumtues e bashkëpunëtor shkencor i një numri qendrash e institutesh në Universitetin e Harvardit si Qendra Davis për Studime Ruse dhe Euroaziatike, Instituti i Harvardit për Kërkime për Ukrainën, Instituti për Shkenca Sociale Kuantitative dhe Qendra për Zhvillim Ndërkombëtar në Harvard Kennedy School.
Gjatë qëndrimit të tij, prof. Sergi është pritur nga rektori Qerimi. Ata kanë zhvilluar edhe një seri takimesh me prorektorë, dekanë dhe stafin tjetër të UP-së, në funksion të identifikimit dhe krijimit të partneriteteve të reja ndërkombëtare të UP-së.
Gjatë këtyre takimeve, po ashtu, janë diskutuar idetë për nisma të reja dhe për konsolidimin dhe fuqizimin e komponentëve të arsimimit ekzekutiv dhe inovacionit brenda UP-së.