UP-ja dhe MASHTI nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, për fonde për shkencën e albanistikës dhe bursa për studentët e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe

21 Shkurt 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës dhe Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi, për të koordinuar përpjekjet e tyre në mbështetje dhe promovim të shkencave të albanistikës, duke u përqendruar sidomos në programet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe brenda Fakultetit të Filologjisë në UP.

Në bazë të këtij memorandumi, MASHTI do të ofrojë bursa vjetore në vlerën prej njëmijë (1000) euro në vit (për student) për studentët e programeve BA dhe MA në Gjuhë Shqipe dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, do të mbulojë shpenzimet e seminaristëve dhe të udhëtimit për studiues të huaj, që marrin pjesë në edicionet e Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, si dhe do të mbështesë projektet shkencore për stafin akademik (tri projekte vjetore) dhe projektet më të suksesshme hulumtuese të studentëve në programet MA në Gjuhë Shqipe dhe MA në Letërsi Shqipe.

Tutje, MASHTI do të mbështesë anëtarët e stafit akademik të Fakultetit të Filologjisë, të cilët publikojnë artikuj shkencorë nga fusha e albanologjisë në revistat me faktor ndikimi. Po ashtu, Ministria do të mbështesë organizimin e garave në nivel parauniversitar për mendim kritik, argumentim dhe drejtshkrim, në bashkëpunim me Departamentin e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Filologjisë të UP-së, si dhe me drejtoritë komunale të arsimit.

Nga ana tjetër, UP-ja do të përkrahë stafin akademik, për të krijuar dhe zhvilluar platformat elektronike të revistave shkencore të Fakultetit të Filologjisë dhe për të rritur performancën akademike në fushën e albanistikës.

Më konkretisht, UP-ja do t’u ofrojë përkrahje financiare anëtarëve të stafit akademik të UP-së, të cilët publikojnë artikuj shkencorë në gjuhën shqipe në revistat “Filologji” dhe “Seminari”, që botohen nga Fakulteti i Filologjisë, dhe në revistën “Studime”, që botohet nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK), si dhe do t’u japë përparësi në përkrahjen financiare të stafit akademik të UP-së (aktual ose në pension), për botimin e librave studimorë të rëndësisë së veçantë ose të teksteve universitare të dedikuara për studentët e departamenteve të Gjuhës Shqipe dhe të Letërsisë Shqipe në UP, në kuadër të programit për financimin e librave.

Rektori Qerim Qerimi, në fjalën e tij, theksoi se nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje paraqet një hap të rëndësishëm për avancimin e dijeve albanologjike dhe ruajtjen e pasurisë gjuhësore. Sipas tij, gjuha shqipe është mjeti kryesor për identitetin dhe kulturën tonë dhe se UP-ja do të mbështesë nismat për promovimin e gjuhës shqipe dhe cilësinë e dijeve albanologjike.

Ky memorandum synon të krijojë një bashkëpunim të qëndrueshëm dhe të frytshëm mes MASHTI-t dhe UP-së për përparimin dhe promovimin e shkencave të albanistikës në Kosovë. Memorandumi është lidhur për një periudhë pesëvjeçare, me mundësi të vazhdimit, pas rishikimit të rezultateve të arritura gjatë kësaj periudhe kohore.