U mbajte konferenca ndërkombëtare e Arkitekturës dhe Urbanizmit, e cila po shënon një hap të rëndësishëm drejt zhvillimit akademik.

14 Nëntor 2023
SHARE

Fakulteti i Arkitekturës i Universitetit të Prishtinës, ka mbajtur konferencën e dytë në kuadër të platformës ndërkombëtare për Arkitekturë dhe Urbanizëm (IPAU). Këtë herë, fokusi ka qenë tek "Zhvillimi akademik i Fakultetit të Arkitekturës - IPAU 2023."

Pjesëmarrës në ketë konferencë përpos rektorit Qerimi,  ishin edhe shumë zyrtar e profesor nga universitete të njohura nga Evropa e SHBA.

Në adresimin e tij, Rektori Qerimi, përcolli entuziazmin dhe përkushtimin e universitetit ndaj zhvillimit të arsimimit lartë dhe krijimit të mundësive për studentë dhe stafin akademik.

Prorektorja, Prof. Arta Basha-Jakupi, bëri një paraqitje në lidhje me ndërkombëtarizimin në fushën e arkitekturës, duke veçuar sidomos angazhimin e tyre ndaj standardizimit dhe promovimit të UP-së në arenën ndërkombëtare.
Në anën tjetër, Prof. Njomza Llullaku tregoi për akreditimin e programeve UP-së, duke shpërfaqur përpjekjet për standardizim të lartë në arsimin e lartë.

Ndërsa, z.Naim Gashi, Drejtor nga  Agjencia e Kosovës për Akreditim, e vlerësoj lartë ketë konferencë dhe premtoj mbështetje dhe bashkëpunim të mëtutjeshëm.

Tema e konferencës u hap me sfidat konkrete të zhvillimit akademik nga dekanja Prof. Violeta Nushi, e cila prezantoi objektivat dhe sfidat për vazhdimësinë e Programit 5-vjeçar të studimeve në Arkitekturë.

Pjesëmarrja e folësve nga universitetet e njohura nga Evropa, SHBA, dhe regjioni e bëri këtë konferencë një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e ideve dhe përvojave në fushën e Arkitekturës dhe Urbanizmit. Profesorë të mirënjohur si Prof.Shahin Berisha, Prof.Mars Podvorica, dhe Prof. Christine Hohenbuechler ishin disa nga folësit e ftuar.