Rektori Qerimi takon Wieland – zëvendëspresident i Parlamentit Evropian

20 Maj 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Qerim Qerimi, sot gjatë ditës, ka zhvilluar takim me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, z. Rainer Wieland. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe prorektori për personel akademik, integritet dhe botime, Faton Berisha.

Rektori dhe Wieland diskutuan rreth mundësive për fuqizim të partneriteteve me institucione evropiane të arsimit të lartë. Në veçanti, ata eksploruan mundësitë për zbatim të ideve për reformë në administratë publike, një çështje që u potencua si e rëndësisë së lartë dhe me shumë ndikim në zhvillimin e vendit.

Rektori Qerimi u shpreh i lumtur për zhvillimin e këtij takimi. Ai falënderoi z. Wieland për bashkëpunimin e gjertanishëm me Kosovën dhe UP-në, ndërkaq theksoi gatishmërinë e universitetit për të iniciuar bashkëpunime konkrete me universitete evropiane. Rektori potencoi edhe dedikimin e Universitetit të Prishtinës për krijimin e kuadrove profesionale, të cilat do i shërbejnë vendit dhe jo vetëm, por njëherësh edhe punën që është duke u bërë në kuadër të institucionit, për të tërhequr studentë të rinj, duke krijuar shumë mundësi për shkëmbime, hapësira moderne dhe nivel cilësor të studimit.

Gjatë takimit, pjesëmarrësit theksuan që tani, pas epilogut pozitiv lidhur më çështjen e vizave, është krijuar një moment i ri për të shikuar për rrugë të reja të bashkëpunimit, të cilat nga tani e tutje, mund të krijohen më lehtësisht. Të pranishmit u pajtuan për komunikim të mëtejshëm, për adresim të përbashkët të çështjeve me interes për vendin, e të rinjtë në veçanti.