Mbahet Konferenca Ndërkombëtare e Inxhinierisë së Ndërtimit (ICCE 2023)

19 Maj 2023
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës, prof. dr. Qerim Qerimi, ka bërë hapjen e Konferencës së dytë Ndërkombëtare të Inxhinierisë së Ndërtimit, që po mbahet në Tiranë.

Kjo konferencë, e organizuar në bashkëpunim mes Fakulteteve të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit Politeknik të Tiranës, mblodhi në Tiranë inxhinierë, hulumtues, studentë, liderë të industrisë dhe entuziastë nga e gjithë bota, të cilët shkëmbyen ide dhe njohuri.

Qëllimi i konferencës ishte nxitja e bashkëpunimit vendor dhe ndërkombëtar në fushën e inxhinierisë.

Punimet e kësaj konference i përshëndeti rektori Qerimi, i cili, ndër të tjerash, foli për rëndësinë e këtij bashkëpunimi për të dyja universitetet.

"Kjo konferencë prezanton shumë më tepër sesa shkëmbim të ideve dhe hulumtimeve. Është dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit dhe kërkimit të vazhdueshëm të dijes. Nënkupton edhe dedikimin tonë për t’i shtyrë kufijtë e asaj çka dimë dhe mund ta arrijmë në fushën që po diskutohet", tha ai.

Për rëndësinë e konferencës dhe bashkëpunimin ndërmjet të dyja universiteteve foli edhe zëvendësrektorja e Universitetit Politeknik të Tiranës, prof. Elfrida Shehu.

Ndërkaq, fjalë rasti në hapjen e konferencës adresuan edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit nga Shqipëria, dr. Albana Tole, dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të UP-së, prof. Florim Grajçevci, dhe dekani i Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit të Universitetit Politeknik.

Konferenca treditore vazhdoi me diskutime, prezantime si dhe sesione të tjera, pjesë të të cilave ishin studiues dhe studentë ndërkombëtarë dhe vendas. Hapja e konferencës posaçërisht ofroi mundësinë për krijim të lidhjeve dhe rrjetëzim për profesionistë vendorë dhe ndërkombëtarë të fushës.