Diskutohet për gratë, paqen dhe sigurinë, në konferencën e UP-së të organizuar për 8 Mars

08 Mars 2023
SHARE

Për të shënuar 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”, në partneritet me forcat e KFOR-it në Kosovë, ka organizuar konferencën “GRATË – PAQJA – SIGURIA”.

Së bashku me përfaqësueset nga institucionet në vend, si: Policia e Kosovës, Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK), por edhe personalitete të rëndësishme, përfshirë: deputete, akademike, përfaqësuese të misioneve diplomatike e të pranishëm të tjerë, u diskutua për rolin e grave në shtetndërtim, në veçanti kontributin e tyre në fushën e paqes dhe sigurisë.

Në fjalën hyrëse, rektori, prof. dr. Qerim Qerimi, theksoi rëndësinë e avokimit, angazhimit dhe përgjegjësisë sociale për krijimin e një shoqërie progresive që promovon barazinë gjinore. “Pavarësisht progresit të bërë, gratë në forcat ushtarake dhe policore të Kosovës vazhdojnë të përballen me sfida që kanë të bëjnë me diskriminimin dhe paragjykimin gjinor. Për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e pjesëmarrjes së grave në këto institucione, ne duhet të ndërmarrim veprime konkrete për të adresuar këto sfida dhe për të promovuar politika dhe praktika të ndjeshme gjinore”, tha ai. Ai ftoi për të festuar sukseset e grave në forcën ushtarake dhe policore të Kosovës, por edhe të vazhdohet puna drejt ndërtimit të një bote paqësore, të zhvilluar dhe të drejtë, ku zëri i grave dëgjohet, kontributi i tyre vlerësohet dhe të drejtat e tyre mbrohen.

Si iniciatore e kësaj konference, fjalën hyrëse e adresoi profesoresha në Departamentin e Gazetarisë në UP, prof. ass. Remzie Shahini-Hoxhaj. Ajo theksoi se UP-ja ka përfaqësimin gjinor më të madh se institucionet e tjera në vend, ndërkaq vlerësoi lartë rolin e gruas në ndërtimin e shtetit. “Historikisht, por veçanërisht në luftën e fundit në Kosovë, gratë kanë pasur një rol vendimtar, sa për lirinë, po aq edhe për ndërtimin e paqes”, tha ndër të tjerash, prof. Shahini-Hoxhaj.

Perspektivat e tyre rreth grave në paqe dhe siguri i ndanë për audiencën edhe: togerja e parë Ryann Laky, zyrtare ndërlidhëse e Policisë së Kosovës; togerja e parë Valdete Mehandja, pilote e aviacionit/helikopter; nënkolonelja Monica Segat, komandante e Batalionit Kinetik; majore Teesha Wheaton-Sparkes, zëvendësshefe e Qendrës së Përbashkët të Operacioneve Logjistike, Forcat Ajrore Kanadeze; kolonele Afërdita Mikullovci, Policia e Kosovës dhe gjeneralmajore Irfete SPAHIU, inspektore gjenerale e FSK-së.

Konferenca u përmbyll me diskutime ndërmjet të pranishmeve në konferencë.