Filmi i profesorëve të Fakultetit të Arteve shfaqet në platformën e njohur NETFLIX

29 Nëntor 2022
SHARE

Filmi artistik i metrazhit të gjatë “Cold November” (“Nëntori i ftohtë”), në regji të prof. dr. Ismet Sijarinës dhe skenar të prof. asoc. Arian Krasniqit dhe prof. Sijarinës, të dy këta profesorë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës, që nga data 26 nëntor, ka filluar të shfaqet në platformën e njohur Netflix (përkatësisht në Netflix International dhe Netflix Europe).

“Nëntori i ftohtë” për herë të parë është shfaqur premierë botërore në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në San Sebastian në vitin 2018, duke rrugëtuar më pas me sukses edhe në shumë festivale të tjera të njohura botërore, në të cilat është shpërblyer me shumë çmime të rëndësishme.

Filmi është një bashkëprodhim i Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, përkatësisht kompanive filmike “Thumbs Up”, “Buka”, “Albasky”, “Ikonë” dhe “Audiohouse”. Si i tillë, ky film është i pari i produksioneve mbarëkombëtare që shfaqet në këtë platformë të njohur.

Shfaqja e këtij filmi në platformën e njohur NETFLIX është sukses për autorët e këtij filmi, por njëkohësisht edhe dëshmi për potencialin krijues e artistik të kineastëve kosovarë, përkatësisht edhe të profesorëve të Fakultetit të Arteve në UP.