Rektori uron 28 Nëntorin – Ditën e Flamurit Kombëtar

28 Nëntor 2022
SHARE

Të dashur studentë,
Të nderuar anëtarë të personelit akademik dhe administrativ të Universitetit të Prishtinës,
Të nderuar qytetarë,

Kjo ditë shënon një ndër festat më kuptimplote të kombit tonë. Dita e Flamurit Kombëtar paraqet njërën ndër datat më të rëndësishme në kalendarin kombëtar, të cilën tash e 110 vjet, e festojmë me shumë ngazëllim dhe krenari. 

Ky muaj, i mbushur me data të shënuara për popullin shqiptar, përveç që na sjell momentet e festës, na bënë të rikujtojmë aspiratat, vlerat dhe vizionin tonë kombëtar. Ky vizion vështirë do të bëhej i mundur pa kontributin e pashoq të universiteteve. Edhe Universiteti i Prishtinës, për mbi pesë dekada që nga themelimi, duke krijuar kuadrot intelektuale dhe profesionale të vendit, i ka shërbyer vizionit për liri dhe shtet-ndërtim dhe mbetet i palëkundur në misionin e tij human, intelektual dhe institucional të përparimit dhe zhvillimit shoqëror, duke luajtur rol qendror në formësimin e vlerave shoqërore, plotësimin e nevojave dhe realizimin e aspiratave të tij.

Në këtë 28 Nëntor, ju përcjell urimet më të përzemërta! 

I juaji,
Prof. dr. Qerim Qerimi, rektor