Rektori Sahiti dhe zëvendëspresidenti i Parlamentit Evropian, z. Wieland zhvillojnë takim virtual – diskutojnë për mundësitë e bashkëpunimit

05 Maj 2021
SHARE

Rektori i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, prof. dr. Naser Sahiti, sot gjatë ditës, ka zhvilluar takim virtual me zëvendëspresidentin e Parlamentit Evropian, z. Rainer Wieland. Pjesëmarrës në këtë takim ishte edhe z. Manfred Raupp, profesor në Universitetin e Hohenheim-it, në Gjermani. 


Rektori Sahiti u shpreh i lumtur që është pjesë e këtij takimi. Ai falënderoi z. Wieland dhe z. Raupp për bashkëpunimin e gjertanishëm me Kosovën dhe UP-në, ndërkaq theksoi gatishmërinë e universitetit për të iniciuar bashkëpunime konkrete me universitete gjermane.
“Ne jemi të interesuar që të avancojmë UP-në dhe prioritet kemi fushën e hulumtimit shkencor. Në këtë fazë, UP-ja është duke e parë mundësinë e bashkëpunimit me Universitetin e Hohenheimit, Universitetin e Erlangen-it dhe universitete të tjera perëndimore – bashkëpunimi me të cilët do të ishte një ndihmesë e madhe drejt ngritjes së kapaciteteve hulumtuese të UP-së, ” theksoi rektori. 


I lumtur për zhvillimin e këtij takimi u shpreh edhe zëvendëspresidenti Wieland. Wieland tha që planifikon qe të vizitojë serish Kosovën, si dhe është i hapur për ide të reja të bashkëpunimit me Universitetin e Prishtinës, përfshirë këtu realizimin e ndonjë ligjërate me studentët. 


Në anën tjetër, profesor Raupp shprehu interesimin e Universitetit të Hohenheimit për të bashkëpunuar me UP-në në kuadër të programit HorizonEurope. Ai shtoi që është në kontakt me profesorë të UP-së, të cilët janë të përgatitur dhe të motivuar që të jenë pjesë e këtij partneriteti, ku pjesëmarrëse do të jenë rreth 25 universitete evropiane. 


Gjatë takimit, pjesëmarrësit diskutuan edhe mundësi të tjera të bashkëpunimit, përfshirë këtu diskutimet për partneritet në fushën e energjisë së qëndrueshme dhe mbrojtjen e ambientit.