Universiteti i Prishtinës në EAIE 2024 në Toulouse, Francë

24 Shtator 2024
SHARE

Javën e kaluar, Universiteti i Prishtinës (UP) mori pjesë në edicionin e 35-të të konferencës prestigjioze të Asociacionit Evropian për Edukimin Ndërkombëtar (EAIE), e cila u mbajt në Toulouse të Francës. Kjo ngjarje, e cila është ndër më të rëndësishmet në fushën e arsimit të lartë ndërkombëtar, mblodhi rreth 300 universitete me mbi 7000 pjesëmarrës dhe institucione arsimore nga mbarë bota.

Universiteti i Prishtinës u përfaqësua nga Zyra për Marrëdhënie me Jashtë, e cila zhvilloi një sërë takimesh të rëndësishme me universitete partnere dhe institucione të tjera ndërkombëtare, duke diskutuar mundësitë për zgjerimin dhe thellimin e bashkëpunimit në fushat e përbashkëta të interesit.

Një ndër takimet kryesore ishte ai me Universitetin e Toulouse, një partner kyç i UP-së, ku u shqyrtuan mundësitë për projekte të reja bashkëpunimi dhe shkëmbime akademike.

Pjesëmarrja e UP-së në këtë konferencë u përqendrua në forcimin e marrëdhënieve ekzistuese dhe krijimin e partneriteteve të reja me universitete nga vende të ndryshme, duke synuar të zgjerojë mundësitë e studentëve dhe stafit akademik për shkëmbime ndërkombëtare, projekte kërkimore dhe bashkëpunime në kuadër të programeve të ndryshme ndërkombëtare, si Erasmus+ dhe iniciativa të tjera.

EAIE është një forum kyç për ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë në Evropë dhe më gjerë. Përmes kësaj platforme, ekspertët nga fusha të ndryshme të arsimit të lartë kanë mundësinë të ndajnë përvojat e tyre, të krijojnë rrjete profesionale dhe të zhvillojnë ide dhe projekte që ndihmojnë në përmirësimin e standardeve dhe praktikave arsimore.

Pjesëmarrja e Universitetit të Prishtinës në këtë konferencë dëshmon përkushtimin e tij për të qëndruar i angazhuar në skenën ndërkombëtare të arsimit të lartë, duke ndihmuar në rritjen e kapaciteteve të tij dhe ofrimin e mundësive të reja për komunitetin e studentëve dhe stafit akademik.