Konferenca e 65 Vjetorit të Fakultetit Filozofik në Kosovë: „Shkencat Shoqërore e Humane dhe Ndryshimi”

19 Prill 2025
SHARE

Data: 30 tetor 2025

Vendi: Prishtinë dhe online

Gjuha e konferencës: shqip dhe anglisht

 

Fakulteti Filozofik në Universitetin e Prishtinës ka kënaqësinë t’ju ftojë në Konferencën e 65 Vjetorit të Fakultetit Filozofik në Kosovë: Shkencat Shoqërore e Humane dhe Ndryshimi, që do të mbahet më 30 tetor 2025 në Prishtinë dhe online.

Ky vit shënon 65 vjetorin e Fakultetit Filozofik, institucionit akademik udhëheqës në fushën e shkencave shoqërore dhe humane në Kosovë dhe më gjerë. Për të shënuar këtë etapë, do të organizojmë një konferencë për të reflektuar mbi udhëtimin disadekadësh të Fakultetit, duke theksuar rolin, arritjet, kontributet, zhvillimin, shanset dhe sfidat, si dhe duke ofruar një perspektivë largpamëse për zhvillimin e tij në të ardhmen.

Mirëpresim punime kërkimore origjinale, ese argumentuese, studime rasti dhe kontribute të tjera akademike që shqyrtojnë sfidat dhe mundësitë e studimit dhe mësimdhënies së shkencave shoqërore dhe humane, veçanërisht në shoqëritë e Evropës Juglindore. Konferenca, gjithashtu, do të ofrojë një mundësi për të reflektuar mbi trashëgiminë e thellë të shkencave shoqërore dhe humane në formësimin dhe nxitjen e shndërrimit shoqëror, duke shqyrtuar se si këto fusha kanë kontribuuar në zhvillimin e mendimit kritik, përparimit shoqëror dhe të kuptuarit kulturor, duke trajtuar gjithashtu rolin e tyre në zhvillim e përgjigjjeve ndaj sfidave bashkëkohore në mjedis global gjithnjë në ndryshim.

Temat kryesore

Mirëpresim kumtesa në tema që lidhen me të lartpërmendurat, duke përfshirë, por pa u kufizuar në temat vijuese:

  • Kërkesat dhe sfidat e zhvillimit të Fakultetit Filozofik
  • Prirjet demografike, kulturore dhe ekonomike që formësojnë zhvillimin e programeve të studimit
  • Rolin e Fakultetit Filozofik në emancipimin kulturor
  • Identifikimin e nevojave dhe prioriteteve të kërkimit shkencor
  • Sigurimin e cilësisë në arsimin e lartë
  • Marrëdhënien midis arsimit të lartë dhe arsimit parauniversitar
  • Rolin dhe misionin publik të universitetit
  • Rolin e intelektualëve në shoqëri
  • Autonominë e universitetit përballë ndikimit politik dhe forcave të tregut
  • Dinamika qendër-periferi në akademi dhe prodhimtari shkencore
  • Rëndësinë e prodhimit shkencor dhe e ligjërimit në gjuhët amtare
  • Ndërkombëtarizimin dhe peizazhin akademik global
  • Ndikimin e digjitalizimit në arsim dhe kërkim
  • Të ardhmen e institucioneve akademike
  • Shndërrimin e universitetit në epokën e inteligjencës artificiale
  • Mundësitë dhe sfidat e kërkimit shkencor
  • Migrimin dhe ndikimin e tij në interesin e të rinjve për studime
  • Rëndësinë e shkencave shoqërore dhe humane në epokën posthumane
  • Arsimin formal kundrejt arsimit jonformal

Udhëzimet e aplikimit

  • Një titull, një abstrakt prej 200-300 fjalësh, 3-5 fjalë kyçe dhe informacion të shkurtër për autorin(ët) (deri në 100 fjalë për autor)
  • Kumtesat duhet të jenë origjinale dhe të mos jenë dorëzuar apo botuar diku tjetër
  • Kumtesat duhet të jenë në anglisht ose në shqip
  • Të gjitha të dorëzohen në emailin: [email protected]
  • Abstraktet do të shqyrtohen nga komiteti shkencor i konferencës

Datat e rëndësishme

  • Afati i dorëzimit të abstrakteve: 15 maj 2025
  • Njoftimi i pranimit: 15 qershor 2025
  • Afati përfundimtar i dorëzimit të punimit: 1 tetor 2025
  • Data e konferencës: 30 tetor 2025

Regjistrimi dhe detajet e konferencës

  • Pjesëmarrja është falas
  • Për më shumë informacion, ju lutemi vizitoni faqen tonë të internetit në https://filozofiku.uni-pr.edu/

Mundësi botimi

  • Një numër i përzgjedhur i punimeve të cilësisë më të lartë do të botohen në një përmbledhje të kumtesave të konferencës, që do të jetë në dispozicion në formë të shtypur dhe në internet, pas konferencës.

 

Presim me padurim punimet tuaja dhe shpresojmë t'ju shohim në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës në këtë tetor!