UP-ja dhe Universiteti i Giessenit në Gjermani fitojnë projekt të financuar nga Fondacioni Gjerman për Mjedis

21 Dhjetor 2023
SHARE

Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe Universiteti Justus Liebig Giessen kanë fituar projektin për “Shfrytëzimin e qëndrueshëm të rrjedhave anësore organike në Republikën e Kosovës, me fokus në komunën e Vitisë”, të financuar nga Fondacioni Gjerman për Mjedis (Deutsche Bundesstiftung Umwelt - DBU).

Projekti synon të zhvillojë koncepte dhe rrugë zbatimi për përdorimin e qëndrueshëm të mbetjeve organike si burime biologjike në nivel komune, një sfidë që mund të menaxhohet më mirë në partneritet midis komunave dhe universiteteve.

Projekti transdisiplinor dhe binacional ORG-VITI është i fokusuar në komunën e Vitisë në Kosovë, me qasjen metodologjike të transferueshme në komunat tjera në Republikën e Kosovës dhe në Ballkanin Perëndimor.

Projekti koordinohet nga prof. dr. Arben Mehmeti dhe prof. dr. Hysen Bytyqi nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë-Universiteti i Prishtinës dhe prof. dr. Rolf-Alexander Düring dhe prof. dr. Rainer Waldhardt, nga Universiteti i Giessenit, si dhe përfaqësues nga autoritetet lokale të Vitisë dhe qytetit të Kirchhain.

Projekti, po ashtu, përfshin edhe nxënës nga Vitia, studentë nga Kosova dhe vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe investitorë potencialë për zbatimin e projekteve të qëndrueshme për mbeturinat organike komunale dhe bujqësore në Viti.

Zbatimi i projektit do të fillojë në qershor të vitit 2024 dhe do të zgjasë deri në maj të vitit 2027.

Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, ka pritur sot në një takim dhe i ka ndarë mirënjohje profesorit Rainer Waldhardt, njërit prej koordinatorëve të projektit.

Në këtë takim, rektori ka shprehur përkushtimin dhe interesimin e veçantë të UP-së për të qenë partner aktiv në nismat dhe projektet e ndryshme kërkimore dhe inovative ndërkombëtare, që sjellin dobi për studentët dhe stafin e UP-së, si dhe prodhojnë efekte më të gjera shoqërore dhe ekonomike.

ORG-VITI — Faculty 09 (uni-giessen.de)