Vdes akademik Salih Gashi pas një jete të tërë në shërbim të Universitetit të Prishtinës, shkencës dhe studentëve

22 Prill 2025
SHARE

Universiteti i Prishtinës duke pranuar me pikëllim të thellë lajmin për vdekjen e akademikut Salih Gashi, ngushëllon familjen, miqtë, studentët, profesorët, komunitetin shkencor të vendit dhe qytetarët e Kosovës për humbjen e akademik Salih Gashit.

Akademik Gashi, që la fizikisht këtë botë në moshën 81 vjeçare, ishte nga ata pak të shkolluar të asaj kohe që përvojën dhe dijen e fituar nëpër vendet e ish-Jugosllavisë u kthyen me plot vullnet për ta bartur te të rinjtë dhe të rejat e Kosovës, duke vendosur bazat e forta të Universitetit të Prishtinës.

Gashi studimet themelore i nisi në Prishtinë dhe i përfundoi në Beograd, ndërsa më pas magjistroi dhe doktoroi në Universitetin e Zagrebit, për të vazhduar studimet e postdoktoratës në Departamentin e Kimisë të Universitetit të Aberdeenit, në Britaninë e madhe.

Nga viti 1993, akademiku i nderuar ishte profesor i rregullt i Departamentit të Kimisë në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në dhjetor të vitit 2024 u zgjodh anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Gashi la pas vetes një trashëgimi të fuqishme shkencore me mbi 50 punime në fushën e Kimisë fizike, të botuara nëpër revista prestigjioze të vendeve të ndryshme të botës, ndërsa ishte pjesëmarrës në shumë konferenca shkencore ku përfaqësoi denjësisht UP-në dhe Akademinë.