Universiteti i Prishtinës në emër të personelit akademik dhe studentëve, ngushëllon familjen, miqtë dhe komunitetin shkencor të vendit dhe rajonit për vdekjen e profesorit Asllan Bilalli.
Bilalli, që ndërroi jetë në moshën 73 vjeçare, kishte një karrierë të gjatë, me plot suksese e rezultate, si profesor e gjyqtar në Kosovë dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut.
I ndjeri, para se t’u jepte mësim dhe ta përçonte dijen e tij te studentët e Universitetit të Prishtinës, në këtë universitet u ngrit akademikisht në dy shkallë shkollimi, duke kryer Fakultetin Juridik dhe doktoruar, ndërsa magjistraturën e përfundoi në Universitetin e Zagrebit.
Në UP, universitetin më të madh, më të vjetër dhe më të suksesshëm të Kosovës, Bilalli ishte profesor dhe kreu kërkime shkencore në të Drejtën ndërkombëtare private dhe të Drejtën romake, derisa ishte edhe gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese në Maqedoni të Veriut dhe pjesë e komisioneve kryesore të themelimit të Universitetit të Tetovës dhe atij të Evropës Juglindore.