Universiteti i Prishtinës kujton lavdinë dhe flijimin e Jasharëve të Prekazit

05 Mars 2025
SHARE

Në 27 vjetorin e betejës së lavdishme treditëshe të Familjes Jashari dhe fqinjëve të tyre kundër forcave pushtuese të shtetit serb, rektori Arben Hajrullahu, personeli akademik dhe studentët e Universitetit të Prishtinës kujtojnë dhe nuk harrojnë sakrificën dhe heroizmin e banorëve të Prekazit dhe gjithë popullsisë së Kosovës për liri dhe shtetndërtim.

Më 5, 6 e 7 mars 1998,  të para 27 vjetëve, u zhvillua përballja titanike e tri gjeneratave të Familjes Jashari me forcat pushtuese të shtetit serb. Burra, gra e fëmijë të kësaj familjeje, por edhe disa nga fqinjët, rezistuan nga shtëpitë e tyre duke dhënë kushtrimin e agimit të lirisë së Kosovës.

Nga ata rrathë ferri e rrethimi, prej Familjes Jashari dolën të gjallë vetëm Besarta dhe Bashkimi, komandant i Forcës së Sigurisë së Kosovës sot, ndërsa përjetësinë e fituan të gjithë të vrarët e atyre ditëve me në krye Komandantin Adem Jashari, vëllanë e tij Hamzën dhe babanë Shabanin.

Sot, Prekazi, me gjithë ato shenja të betejës, njëri nga vendet më të vizituara dhe më të nderuara të shqiptarëve, është lapidar i lirisë së Kosovës dhe garanci e moskthimit në kohët e errëta.