Rektori Hajrullahu në mbledhjen e Senatit: Nuk ka përgjegjësi anonime

28 Shkurt 2025
SHARE

Mbledhja e jashtëzakonshme e Senatit të Universitetit të Prishtinës, e paraparë të zhvillohej sot, më 28 shkurt 2025, nuk u mbajt, pasi administrata konstatoi mungesë kuorumi.

Mbledhja kishte vetëm një pikë të rendit të ditës — rishqyrtimin e propozimit të Komisionit Vlerësues për pozitën numër shtatë të konkursit të datës 31 maj 2023 në Fakultetin Filozofik.

Për këtë pozitë të profesorit-asistent kishin konkurruar gjashtë persona, ndërsa Trupa Këshillëdhënëse e Rektorit, pas shfuqizimit të vendimit paraprak, kishte konstatuar shkelje gjatë procesit të vlerësimit të kandidatëve në konkurs.

Në mbledhjen e Senatit, më 21 shkurt 2025, senatorët kërkuan informacione shtesë dhe ishin pajtuar që këtë çështje ta shqyrtojnë në një mbledhje të jashtëzakonshme, duke konsideruar mundëslnë për themelimin e një komisioni vlerësues të përbërë nga profesorë me integritet të lartë akademik, të UP-së dhe ndërkombëtarë, me detyrën për të rivlerësuar kandidatët në konkurs.

Para se ta shpallte të mbyllur takimin, rektori Hajrullahu, konstatoi se nuk ka vullnet për ta trajtuar këtë rast dhe vuri në dukje se nuk ka dhe nuk do të lejojë përgjegjësi anonime duke u fshehur prapa trupave kolegjiale.

Ai tregoi se do t’i rinjoftojë strukturat e Universitetit të Prishtinës për gjetjet e këtij rasti dhe do t’i falënderojë profesorët ndërkombëtarë që ishin të gatshëm të jenë anëtarë të komisionit për përzgjedhjen e më të kualifikuarit nga kandidatët për pozitën numër 7 të konkursit të 31 majit 2023.

Duke e konsideruar këtë realitet, vetëm njërën anë të medaljes, rektori Hajrullahu, tha se ekziston edhe ana tjetër e saj, që është e ndritur dhe ripërsëriti fuqishëm se nuk do të bëjë kurrfarë kompromisi me ligjshmërinë dhe meritokracinë.

Për katër pozita të konkursit të 31 majit 2023, Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit në një opinion të sajin kishte konstatuar konflikt interesi, duke kthyer prapa tërë procesin deri në pikën ku nuk kishte një të tillë. Një gjë që Senati e kishte bërë në mbledhjen e 27 nëntorit 2024, duke shfuqizuar avancimet për këto pozita.