Të drejtat e njeriut: Bisedë me Avokatin e Popullit në Fakultetin Juridik

05 Dhjetor 2024
SHARE

Të nderuar profesorë dhe studentë të Universitetit të Prishtinës,

ju ftojmë të merrni pjesë në një bashkëbisedim të Avokatit të Popullit me studentët, shoqërinë civile, përfaqësuesit e institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare dhe përfaqësuesit e mediave,  të organizuar së bashku me Fakultetin Juridik,  përkitazi me vlerat dhe parimet e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut që mbrojnë dinjitetin, lirinë, barazinë, mirëqenien e individëve si dhe edukimin për të drejtat e njeriut.

Edukimi për të drejtat e njeriut synon rritjen e ndërgjegjësimit dhe fuqizimin e individëve për të mbrojtur dhe kërkuar respektimin e të drejtave të tyre dhe të të tjerëve.

Bashkëbisedimi do të zhvillohet në amfiteatrin e vogël të Fakultetit Juridik, të martën, më 10 dhjetor 2024, prej orës 11:00 deri në orën 12:30, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut.

Panelistë të këtij bashkëbisedimi do të jenë: rektori i Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu, avokati i popullit Naim Qelaj, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese Gresa Caka – Nimani dhe aktivistja e të drejtave të njeriut dhe shoqërisë civile Igballe Rogova, derisa takimin do ta hapë dhe moderojë prodekani për çështje mësimore dhe të cilësisë në Fakultetin Juridik, Florent Muçaj.

Për aktivitete të përbashkëta mes Universitetit të Prishtinës dhe Institucionit të Avokatit të Popullit u pajtuan drejtuesit e këtyre dy institucioneve prof. Arben Hajrullahu dhe z. Naim Qelaj, në një takim që patën më 27 nëntor.

Më 10 dhjetor 2024 do të bëhen 76 vjet nga miratimi i Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 10 dhjetor 1948. Nën sloganin „Të Drejtat tona, e Ardhmja Jonë, që Tani” (“Our Rights, Our Future, Right Now") OKB-ja këtë vit rikujton rëndësinë e të drejtave të njeriut për t’i fuqizuar individët dhe komunitetet për të ndërtuar një të nesërme më të mirë.

Të bashkëlidhur me njoftimin, e keni edhe agjendën e bashkëbisedimit.

Agjenda për 10 dhjetor 2024

Ju mirëpresim!