Themelohet Qendra për Aftësim dhe Inovacion në Energji

27 Shtator 2024
SHARE

Universiteti i Prishtinës, me vendim të Bordit Drejtues ka themeluar Qendrën për Aftësim dhe Inovavion në Energji, e cila do t'i shërbejë industrisë në përgatitjen e kuadrove për të ardhmen e qëndrueshme pas tranzicionit energjetik.

 Up-ja është përzgjedhur nga Millenium Challenge Corporation si institucioni partner për komponentën e zhvillimit profesional të shkathtësive për të rinjtë që do të punojnë në industrinë e energjisë në Kosovë.

Vendi ynë e ka objektiv strategjik reduktimin e varësisë nga energjia e gjeneruar me djegie dhe arritjen e 30 përqind të energjisë në rrjet të prodhuar nga burime të ripërtëritshme. Për ta realizuar këtë, kërkohen investime në impiante të energjisë së ripërtëritshme, por edhe shkathtësim i punëtorëve që do të punojnë në kompanitë prodhuese të kësaj energjie.

Vlerësohet se Kosovës i mungojnë deri në 4000 profesionistë të tillë. Për këtë, projekti në bashkëpunim dhe bashkëfinancim mes MCC-së dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës parasheh ngritjen e një qendre të trajnimeve profesionale për energji.

Qendra e Aftësimit dhe Inovacionit në Energji (QAIE) në Universitetin e Prishtinës do të jetë një institucion avangard i mundësimit të trajnimeve profesionale për shkathtësi të nivelit 4 dhe 5. Përmes projektit, vizioni është që qendra të shndërrohet në një inkubator rajonal për mundësimin e trajnimeve profesionale në fushën e energjisë.