Miratohet Statuti i ri i UP-së – një hap i rëndësishëm drejt aspiratave më të larta për modernizim, cilësi dhe konkurrueshmëri ndërkombëtare

13 Korrik 2024
SHARE

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Statutin e ri të Universitetit të Prishtinës, që shënon një hap të rëndësishëm në përparimin e universitetit në qeverisje, mësimdhënie, kërkim shkencor dhe inovacion.

Përmes Statutit të ri, UP-së i krijohen mundësi të jetë në hap me trendet dhe praktikat më të mira të institucioneve akademike botërore. Një statut i ri, bashkëkohor, e reflekton përkushtimin e UP-së për t’u konsoliduar si institucion udhëheqës në arsimin e lartë në Kosovë e në Rajon, për të ngritur e zgjeruar profilin akademik dhe pozicionin institucional në planin ndërkombëtar, si dhe për të pasur një status dinjitoz në rrethin e partnerëve nga e mbarë bota, që tërheq, afron dhe arsimon mendjet më të ditura e më të ndritura.

Menaxhmenti i UP-së, Këshilli Drejtues i UP-së, Senati i UP-së, njësitë akademike dhe udhëheqjet e tyre, stafi akademik e administrativ në përgjithësi, si dhe përfaqësuesit e studentëve, kanë bashkëpunuar ngushtë me akterë të jashtëm e të brendshëm për avancimin e Statutit përmes një procesi të hapur, transparent, argumentues e gjithëpërfshirës. 

Universiteti u është mirënjohës Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Komisionit përkatës parlamentar, si dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës për përkrahjen dhe procedimin e Statutit të UP-së.

Ky Statut i ri vjen pas dymbëdhjetë (12) vjetësh, kur për herë të fundit Statuti është rishikuar, ndryshuar e plotësuar, dhe vjen pas një serie përpjekjesh që janë bërë ndër vite për më se një dekadë për një gjë të tillë. Në të vërtetë, në thelbin e tyre, kriteret kryesore të zgjedhjes e të promovimit akademik, në veçanti ato që lidhen me produktivitetin akademik, sikundër dhe shumë dimensione të tjera të lidhura me kërkimin, studentët e cilësinë e studimit, nuk kanë ndryshuar që nga paslufta, një periudhë kjo veçanërisht e gjatë për një institucion bashkëkohor dhe me traditë të dijes së lartë.

Me këtë aspekt në mendje dhe marrë parasysh përmbajtjen dhe shpejtësinë me të cilën kanë lëvizur dinamikat dhe trendet në arsimin e lartë, status quo-ja ka qenë zgjidhje qartazi e paqëndrueshme dhe ndryshimet të ngutshme e të domosdoshme.

Ndryshimet e mishëruara në tekstin e Statutit të ri shtrihen në shumë rrafshe. Disa prej tyre, ndër më kryesorët, paraqiten në vijim:

Në rrafshin strukturor, Statuti parasheh një funksion më të decentralizuar të universitetit, duke bartur e saktësuar përgjegjësitë dhe llogaridhënien menaxheriale të rektorit dhe dekanëve, ndërsa në anën tjetër parasheh edhe rol më të fuqizuar akademik të Senatit dhe të Këshillave të Njësive Akademike. Statuti përcakton rregulla që avancojnë aspiratat akoma të munguara për barazi gjinore, synojnë të rrisin kriteret për zgjedhje në pozita drejtuese dhe përmbajnë ndalesa për periudha të konsiderueshme kohore për personat, të cilët ushtrojnë ose kanë ushtruar funksione të larta partiake apo politike dhe synojnë pozita drejtuese në universitet, në përpjekje dhe në funksion të krijimit të një shkalle më të gjerë të garancioneve të depolitizimit institucional.

Në rrafshin praktik, Statuti avokon një frymë të re të vlerësimit të vazhdueshëm të punës së studentëve, e në anën tjetër reflekton edhe kërkesën për një identitet më të zgjeruar profesional të personelit akademik, ku detyrat e punës shkojnë përtej mësimdhënies dhe përtej synimeve legjitime për marrjen e thirrjeve akademike, duke përcaktuar kritere më të sakta e objektivisht të matshme, duke krijuar një ekuilibër të kujdesshëm midis thirrjeve të ndryshme dhe duke i afruar ato më pranë kritereve, që e vendosin universitetin më afër universiteteve partnere në Evropë e më gjerë. Në mënyrë të veçantë, kjo shprehet edhe me krijimin e bazës së konsoliduar rregullative për institute dhe qendra hulumtuese funksionale (në nivel universiteti apo njësish akademike), që kësisoj kanë një autonomi të gjerë të veprimit buxhetor e administrativ; skemave mbështetëse për punën e tyre dhe përfshirjen aktive të personelit akademik në zbatim të projekteve, si dhe krijimin e pozitave të reja për hulumtues universitar (për herë të parë në histori të institucionit), që rrisin kapacitetin dhe fuqinë kërkimore të universitetit. Këto rregullime ndjekin modelet e universiteteve me të mira botërore, të cilat UP-ja i aspiron.

Me Statutin e ri, universiteti reflekton qartë koherencën me politikat dhe parimet e ENQA-s për sigurimin e brendshëm të cilësisë, ndërsa parashihen edhe politika të reja për vlerësim dhe menaxhim të performancës së personelit akademik. Studimet e strukturuara pasdoktorale, lejimi i formave bashkëkohore të mësimdhënies si mësimi online apo ai i kombinuar, fuqizimi i mekanizmave shtesë për të drejtat e studentëve, siç është, për shembull, krijimi i institucionit të Ombudspersonit, si dhe fuqizimi i rolit të studentëve në vlerësimin e performancës së stafit akademik, janë vetëm disa nga praktikat e reja që sjell Statuti i ri.

Në rrafshin e standardeve të avancimeve akademike, Statuti parasheh një ngritje të dukshme të kërkesave për avancimet akademike të personelit, ndërsa në anën tjetër parasheh edhe lehtësime administrative, që personeli akademik të mos e shohë procesin e avancimit apo të rizgjedhjes si proces të imponuar. Statuti parasheh standarde më rigoroze, ndonëse më të sakta dhe qartazi proporcionale, për marrjen e thirrjes së parë të profesorit (zgjedhja në profesor asistent) dhe në marrjen e thirrjes së fundit (profesor i rregullt). Standarde të tilla i janë dashur Kosovës, në mënyrë që të rritet produktiviteti shkencor, të rritet cilësia e publikimeve shkencore dhe, në këtë mënyrë, të përmirësohet gjendja në rangimin dhe imazhin e universitetit dhe të Kosovës në nivel Rajoni dhe më gjerë.

Përfundimisht, ky Statut paraqet një standard të ri të funksionimit të institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë, e bën UP-në më mirë të pozicionuar ndaj sfidave mbizotëruese të kohës dhe më reaguese ndaj realiteteve të ndryshueshme shpejt, përfshirë këtu trendin e rënies konstante të numrit të studentëve, si dhe e përafron atë me universitetet përtej vendeve fqinje, duke e bërë më konkurruese dhe më të përfshirë në më shumë projekte, më shumë shkëmbime e më shumë kërkime dhe botime shkencore.

UP-ja ka çdo arsye të besojë dhe potencial të materializojë ambicien krejtësisht legjitime të një institucioni të lartë të dijes që, jo vetëm krahasohet në rrafshin e standardeve e të fuqisë kërkimore edhe akademike, por edhe konkurron në terma seriozë me institucionet homologe në Rajonin e gjerë dhe në kontinent. Matjet e fundit ndërkombëtare kanë dëshmuar potencialin për një premtim të tillë të arritshëm. Prandaj, përkundrejt sfidave, duke gjetur inspirim në talentin e jashtëzakonshëm të komunitetit studentor dhe në dedikimin e anëtarëve të komunitetit akademik, Statuti i ri ofron një bazë të mirë dhe momentum të ri për të vazhduar përpjekjet e palëkundura për, siç cilësohet në dispozitën e nenit të ri 5 të Statutit, përmbushjen e misionit të universitetit si një “qendër e ekselencës dhe inovacionit”, që “ndërvepron me zhvillimet shoqërore dhe globale në funksion të zhvillimit të vlerave të dakorduara të shoqërisë”, si dhe “zhvillimit të demokracisë, ekonomisë së vendit dhe konkurrueshmërisë ndërkombëtare”.

UP-ja mbetet e përkushtuar për përmirësim të vazhdueshëm dhe jetësim të misionit të saj për përparim të përgjithshëm shoqëror në Kosovë. Pas miratimit të Statutit në Kuvend, puna po vijon në konceptimin, hartimin dhe miratimin e rregulloreve dhe të akteve të tjera, që do të vënë në zbatim të plotë e produktiv Statutin e ri. Universiteti tashmë ka bërë veprime konkrete, duke miratuar së fundmi Rregulloren e procedurave vlerësuese për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm, të përputhshme me Statutin e ri, duke ngritur grupin e punës që do të harmonizojë Rregulloren tjetër të zgjedhjes e të promovimit të stafit të rregullt akademik me dispozitat e Statutit të ri dhe, në renditje të natyrshme të gjërave, duke ndërmarrë të gjithë hapat e tjerë të nevojshëm për materializim të përmbajtjes së Statutit të ri.