Mesazh ngushëllimi nga Universiteti

01 Korrik 2024
SHARE

Sot, në moshën 88 vjeçare, kaloi në përjetësi kolosi i letrave shqipe, shkrimtari i përmasave botërore, Ismail Kadare.  

Ai, me veprën e tij letrare, kaloi kufijtë hapësinorë dhe rrafshoi kufijtë kohorë, duke e përfaqësuar denjësisht letërsinë dhe kulturën shqiptare kudo në botë.

Vepra e tij, e përkthyer në rreth 45 gjuhë botërore, transmetoi më së miri trashëgiminë tonë kulturore, historike e politike, herë e mbindërtuar mbi mitologjinë e gojëdhënat, herë mbi historinë nacionale e universale.

Me veprën e tij në poezi, Kadare solli risi në letërsinë bashkëkohore shqipe, për medacionin e thellë dhe thyerjen e klisheve ideologjike.

Me veprën e tij në prozë dhe ese, të shtrirë në shtatë dekada, Kadare krijoi një arkiv të çmueshëm letrar dhe të pazëvendësueshëm, jo vetëm në historinë e letërsisë shqipe, por edhe në atë botërore.

Vepra e tij, me temat, idetë, motive e lajtmotivet, gjithnjë në frymën nacionale, u bë e pashmangshme për studiues shqiptarë e të huaj, duke zënë vend në bibliotekat dhe katedrat më të njohura krah klasikëve evropianë.

Kadare ishte i nominuar disa herë për çmimin Nobel dhe fitues i shumë çmimeve letrare kombëtare e ndërkombëtare, si: fitues i çmimit The Booker Prize Man, Princi i Asturias për Letërsi,  pastaj i nderuar me urdhrat: Kryqi i Legjionit të Nderit, Oficer i Legjionit të Nderit e deri te Nderi i Kombit, duke u shndërruar kështu në një kalorës të vërtetë letërsisë evropiane.

Ardhja e tij në letërsi dhe kalimi në përjetësi, duke lënë një mal të lartë veprash monumentale, e bëjnë atë papërsëritshëm dhe të pavdekshëm, princ të letrave shqipe.

Në vitin 2003, Universiteti i Prishtinës i ka dhënë z. Kadare çmimin doctor honoris causa.

I përjetshëm qoftë kujtimi për të!