Rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi dhe prorektorja, prof. Pranvera Breznica, kanë mirëpritur në takim Drejtorin Ekzekutiv të Santefarm, Mr. sci. ph. Milaim Abdullahu. Në takim të pranishëm ishin edhe ud dekani i Fakultetit të Mjekësisë, prof. ass. dr. Fatos Sada dhe prodekanja, prof. ass. dr. Zana Sllamniku Dalipi.
Ky takim kishte për qëllim nënshkrimin e marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të UP-së, përkatësisht Fakultetit të Mjekësisë dhe Santefarm SH.P.K., për financimin e bursave dhe ndarjen e donacioneve të tjera për studentët e Degës së Farmacisë.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje për bursa nga UP dhe Santefarm është një hap i rëndësishëm për te siguruar mbështetje për ata që studiojnë në këtë fushë.
Rektori Qerimi u shpreh falënderues për ndihmën e dhënë nga Santefarm, duke vlerësuar se kjo mbështetje për studentët është një tregues i lidershipit dhe angazhimit për të përmirësuar mundësitë arsimore për të gjithë dhe për të investuar në gjeneratat e ardhshme të profesionistëve. Ai theksoi rëndësinë dhe vlerën e shtuar që partneritetet e tilla kanë për universitetin dhe studentët.
Nga ana e tij, edhe Drejtori ekzekutiv i Santefarm, Milaim Abdullahu vlerësoi bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët për të arritur qëllimet e përbashkëta. Prorektorja, ud dekani dhe prodekanja, po ashtu, vlerësuan lartë vullnetin e Santefarm, me ç’rast studentët do të kenë mundësi të arrijnë arsimin e tyre pa pengesa financare.