Mbi bazën e autorizimeve ligjore dhe statutare, rektori i UP-së, prof. Qerim Qerimi, ka caktuar për ushtrues detyre të dekanit të Fakultetit të Mjekësisë, prof. ass. dr. Fatos Sada. Ky vendim vie në vijim të përfundimit të parakohshëm të mandatit të dekanes aktuale, prof. dr. Suzana Manxhuka-Kërliu, si rezultat i pensionimit. Mandati i ud dekanit fillon nga data 15 prill 2024.
Prof. ass. dr. Fatos Sada, ka ushtruar detyrën e prodekanit për shëndetësi në Fakultetin e Mjekësisë. Ai ka filluar punën në Anesteziologji prej vitit 2003, gjersa si staf i rregullt akademik, pranë Fakultetit të Mjekësisë të UP-së, fillon punën në vitin 2007 si asistent i rregullt.
Fakultetin e Mjekësisë e përfundoi në Prishtinë, gjithashtu specializimin nga fusha e “Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv” e përfundoi në Prishtinë në vitin 2007.
Studimet pasdiplomike i regjistron në Fakultetin e Mjekësisë - UP, dhe përfundon një herë magjistraturën e shkencave mjekësore, dhe pastaj doktoratën në shkencat mjekësore. Gjatë kësaj periudhe publikon punime të shumta si autor dhe koautor në revista prestigjioze evropiane.
Trajnimet kryesore jashtë vendit në fushën e Anesteziologjisë dhe Mjekimit Intensiv, i merr në dy qendra me renome botërore, Cornell University, New York-Presbyterian Hospital, në New York, SHBA, dhe në klinikën universitare të Vjenës në Austri, AKH.
Trajnimet për mësimdhënie, teknikat e reja, metodologjinë, aftësinë dhe mënyrën e komunikimit me studentë, i përfundon në Riga të Letonisë dhe në Bruksel të Belgjikës, trajnime këto të organizuara nga Shoqata Evropiane e Anesteziologjisë.
Aktualisht është profesor në lëndët “Anesteziologji dhe Reanimacion” dhe në lëndën “Mjekësia Urgjente”, ku ligjëron dhe merr pjesë aktive në mbarëvajtjen e ushtrimeve klinike në këto dy lëndë, në dy drejtimet: Mjekësi të Përgjithshme dhe Stomatologji.
Është anëtar me të drejta të plota i Shoqatës Evropiane të Anesteziologjisë dhe i Shoqatës Evropiane për Menaxhimin e Rrugëve të Frymëmarrjes. Në vitin 2023, ka qenë prezantues/ligjërues edhe në Kongresin Evropian të Anesteziologjisë.