Me pikëllim e pranuam lajmin se ka ndërruar jetë akademiku e ish-rektori, i UP-së, profesor Feriz Krasniqi, i cili dha një kontribut të çmueshëm për mirëfunksionimin e Universitetit të Prishtinës.
Krasniqi ishte një mandat prorektor (1973-1975) dhe dy mandate rektor i Universitetit të Prishtinës (1975-1979).
Më 1980, Krasniqi u bë profesor ordinar për lëndën Sistematika e bimëve të larta në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të UP-së, ku punoi derisa u pensionua.
Akademik Feriz Krasniqi ishte i pari studiues vendor, që mbi bazat shkencore u përfshi në studimin e gjithanshëm të florës spontane dhe vegjetacionit spontan autokton të kësaj treve.
Nga viti 2000, ai ishte anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK).
Ai la pas vetes një krijimtari të gjerë shkencore dhe profesionale, e cila vazhdon të jetë ndriçues dije për gjeneratat e reja në vazhdimësi.
Përveç mirënjohjeve të tjera, në vitin 1995, Senati i Universitetit të Prishtinës ia dha titullin e nderit Profesor emeritus, për merita të veçanta në zhvillimin dhe avancimin e Universitetit të Prishtinës.
Në cilësinë e rektorit dhe në emër të universitetit, personelit akademik dhe studentëve, ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e më të dashurit tuaj.
I lehtë i qoftë dheu akademik Feriz Krasniqit!
Sinqerisht,
Prof. dr. Qerim Qerimi
Rektor