Në kuadër të orientimeve strategjike për përkrahjen e punës shkencore dhe kreative të stafit akademik të UP-së, Këshilli Botues i Universitetit, pas përmbylljes së thirrjes publike për botimin e dorëshkrimeve të teksteve mësimore dhe monografive shkencore, ka bërë vlerësimin e 21 teksteve dhe në përputhje me Rregulloren për botime, i ka rekomanduar Këshillit Drejtues për miratim, listën me 13 tekste universitare dhe monografive shkencore, të cilat i kanë plotësuar kriteret e thirrjes për botim.
Bazuar në kushtet dhe kriteret e Rregullores për Botime, Këshilli Botues ka përzgjedhur tekste që mbulojnë një gamë të gjerë të fushave studimore: shkenca sociale, shkenca natyrore, shkenca mjekësore, shkenca juridike, histori, antropologji, filologji, ekonomi, inxhinieri dhe edukim.
Përveç lejes së botimit, bazuar në Rregulloren në fuqi, kësaj herë, si asnjëherë tjetër, autorët e teksteve do të kompensohen për punën e tyre, prandaj, shuma që është ndarë nga Këshilli Drejtues për të përkrahur financiarisht botimin e këtyre teksteve është 59,993 Euro.
Universiteti i Prishtinës, mbetet i përkushtuar për përkrahjen e botimeve cilësore të teksteve universitare dhe monografive shkencore të stafit akademik në përputhje me angazhimin e përbashkët për stimulimin dhe inkurajimin e punës shkencore, kërkimore dhe botuese të punonjësve mësimorë.
Menaxhmenti i Universitetit të Prishtinës, brenda mundësive që lejon buxheti për vitin e ardhshëm 2024, synon që të rrisë shumën e planifikuar për botime, me qëllim të inkurajimit të stafit akademik për angazhim dhe punë më të madhe profesionale në fushat që mbulojnë.