Në mbledhjen e zhvilluar të premten e 25 prillit 2025 në ambientet e Universitetit të Gjilanit „Kadri Zeka”, Konferenca e Rektorëve të Institucioneve Publike të Arsimit të Lartë në Republikën e Kosovës, mes tjerash, miratoi rregulloren e punës së saj, derisa u arrit marrëveshje bashkëpunimi mes universiteteve publike të vendit.
Marrëveshja mes tetë universiteteve publike (Universitetit të Prishtinës, Universitetit „Ukshin Hoti” të Prizrenit, Universitetit „Haxhi Zeka” të Pejës, Universitetit „Isa Boletini” të Mitrovicës, Universitetit „Kadri Zeka” të Gjilanit, Universitetit „Fehmi Agani” të Gjakovës, Universitetit të Shkencave të Aplikuara të Ferizajt, dhe Kolegjit Publik Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë) parasheh thellimin e bashkëpunimit akademik, shkencor-kërkimor, arsimor dhe kulturor në bazë të parimeve të digjitalizimit në kohën e inteligjencës artificiale.
Konferenca e Rektorëve vendosi bazat e funksionimit të saj me miratimin e Rregullores së punës, në të cilën janë përcaktuar veprimtaria dhe detyrat e këtij institucioni. Me rregullore u vendos që selia e Konferencës të mbetet në Universitetin e Prishtinës dhe që çdo dokument i miratuar të ruhet në arkivin e selisë.
Përveç Rregullores së punës së Konferencës së Rektorëve, në të njëjtën mbledhje nën drejtimin e rektorit të Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, u përzgjodhën edhe llogoja, stema dhe vula e konferencës, të punuara nga profesori i Fakultetit të Arteve të Universitetit të Prishtinës, Zeni Ballazhi, të cilin rektorët e falënderuan për punën e kryer.
Këto tri elemente të rëndësishme të identitetit të Konferencës së Rektorëve, do të përdoren në secilën shkresë të lëshuar prej saj.
Në dhjetor të vitit të kaluar, rektorët e universiteteve publike të vendit që u mblodhën për të diskutuar rreth politikave sa më të mira të udhëheqjes së arsimit të lartë, zgjodhën kryesues të Konferencës së Rektorëve, rektorin e Universitetit të Prishtinës Arben Hajrullahu.