Në Ditën Ndërkombëtare të Vajzave në Teknologjinë Informative dhe Kompjuterike, Fakulteti i Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike organizoi ngjarjen „Shecurity Conference and Hackathon 2025”, për të promovuar barazinë gjinore dhe përfshirjen më të madhe të vajzave dhe grave në teknologjinë e së ardhmes.
Të pranishmit në këtë ngjarje, i përshëndetën me fjalë mirëseardhjeje, prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, Majlinda Gjelaj dhe dekani i FIEK-ut, Isak Shabani.
Gjatë fjalimeve u tha se duhet punuar së bashku që vajzave dhe grave t’u ofrohen mundësi të barabarta, për të larguar çdo pengesë që qëndron në rrugën e tyre drejt botës së teknologjisë, në mënyrë që ato të ëndërrojnë, të sfidojnë kufijtë dhe të bëjnë ndryshimin.
Gjithashtu, u ra dakord që përfshirja e studenteve, vajzave dhe grave në këtë transformim teknologjik, në një botë që po digjitalizohet me ritme të shpejta, nuk është më vetëm çështje barazie — është domosdoshmëri për inovacion, diversitet dhe progres shoqëror.
Këtë vit, për herë të parë në kuadër të konferencës, u organizua gara „Capture the Flag (CTF)”, ekskluzivisht për vajzat studente të Universitetit të Prishtinës dhe u lansua platforma zyrtare e kësaj gare https://ctf.uni-pr.edu , në të cilën 65 studente shfaqën njohuritë dhe kreativitetin e tyre për zgjidhjen e problemeve të sigurisë kibernetike.
Vendin e parë në këtë garë, për shpejtësinë dhe kreativitetin e treguar, e zuri studentja Dea Limoni, e dyta doli Brela Shala, ndërsa e treta Agnesa Rama.
Në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, vit pas viti, gjithnjë e më shumë vajza zgjedhin të studiojnë programet e inxhinierisë dhe teknologjisë, marrin pjesë aktive në projekte kërkimore, fitojnë bursa dhe çmime ndërkombëtare dhe bëhen modele frymëzimi për brezat që vijnë.