50 vjetori i Degës së Stomatologjisë në UP: Shpalosen rezultatet dhe planet për të ardhmen 

25 Prill 2025
SHARE

Në 50 vjetorin e Degës së Stomatologjisë të Universitetit të Prishtinës, u treguan hapat dhe etapat e zhvillimit të kësaj disipline dhe shëndetit dentar të Kosovës. 

Në këtë ngjarje të shënuar, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, tha se njerëzit tanë kanë arritur të bëjnë gjëra që nganjëherë dukeshin të pamundura. Duke folur për sukseset e Degës së Stomatologjisë, drejtuesi i UP-së tregoi se si mendon që kjo degë dhe disiplinë mund të përparojë më tepër. 

„Unë besoj që autonomia, një nivel më i madh i autonomisë do të ndihmonte në zhvillimin e kësaj disipline shkencore, pra që ndoshta të guxohet e të mendohet që degën, disiplinën shkencore të stomatologëve ta krijojmë si njësi të pavarur akademike në kuadër të Universitetit të Prishtinës”, tha rektori Hajrullahu. 

Me rektorin Hajrullahu në jubileun e organizuar në Dekanatin e Fakultetit të Mjekësisë ishin edhe prorektorët Naim Jerliu, Rozafa Basha e Avni Hajdari që bashkë me të pranishmit tjerë, nga shefja e Degës së Stomatologjisë, Gloria Staka u informuan në detaje rreth rezultateve, sfidave, personelit, studentëve dhe mënyrës së funksionimit të degës.

Edhe dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Sefedin Muçaj, foli për historinë, sukseset dhe rrugën përpara të Degës së Stomatologjisë. Tha se në periudhën 50 vjeçare të ekzistencës së saj kanë diplomuar 2504 studentë, ndërsa tregoi edhe arritjen kryesore. „Një ndër ngjarjet kulmore ishte themelimi i Qendrës Stomatologjike Universitare të Kosovës në vitin 2003”, deklaroi Muçaj. 

Gjatë ngjarjes folën edhe profesorët-doajenë Osman Sejfiaj e Adil Raka dhe përfaqësuesja e studentëve, Tringa Blakaj, ndërsa rektori Arben Hajrullahu u ndau mirënjohje disa organizatave e institucioneve që ndihmuan Degën e Stomatologjisë të Universitetit të Prishtinës. 

Mirënjohje iu dhanë edhe profesorëve e asistentëve të dalluar dhe atyre që punuan në vitet’90. Gjithashtu, u nderuan edhe profesorët që nuk jetojnë më.