Universiteti i Prishtinës ekspozon librat në panairin e dy akademive shqiptare

23 Prill 2025
SHARE

Librat e fushave të ndryshme të studimeve, të botuara nga profesorë të Universitetit të Prishtinës, janë pjesë e edicionit të katërt të Panairit Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor që do të zhvillohet nga dita e sotme e deri më 25 prill, në hapësirat e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës.

Në ceremoninë hapëse të ngjarjes së organizuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës në bashkëpunim me Qendrën Kombëtare të Librit dhe Leximit, morën pjesë prorektori për mësimdhënie, çështje të personelit akademik dhe botime i Universitetit të Prishtinës, Naim Jerliu dhe prorektori për kërkime shkencore, projekte dhe inovacion, Avni Hajdari.

Stendën e UP-së në panair, e vizitoi kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi, për t’u njohur nga afër me botimet e personelit akademik të këtij universiteti në pesë vjetët e fundit.

„Ky panair është vendi i duhur për promovimin e atyre botimeve të cilat na bashkojnë si në origjinën tonë të përbashkët, misionin e përbashkët, njëherësh në sfidat e reja drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, tha Gjinushi.

Nikoqiri i sivjetmë i panairit, akademiku Mehmet Kraja, teksa konstatoi se libri shkencor nuk është libër i reklamës dhe tirazheve të mëdha, tha se magjia e librave të tillë qëndron „sa në ide të reja, në dije të gjithmbarshme dhe mendime të thella, po aq në qëndrueshmërinë e argumenteve dhe vërtetësinë e fakteve”.

Më pas „Shpërblimi Mbështetës për Punën Kërkimore-Shkencore të të Rinjve”, i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës iu dha profesorit-asistent të Universitetit Politeknik të Milanos, Mëmëdhe Ibrahimit. Para se të bëhej profesor në Itali, Ibrahimi kreu studimet themelore në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës.

Në Panairin Mbarëkombëtar të Librit Akademik dhe Shkencor, gjatë tri ditëve sa do të zgjasë, do të ketë promovime të librave të ndryshëm shkencorë nga të gjitha trevat shqiptare. Edicioni i pestë i këtij panairi do të zhvillohet në Tiranë.