Profesori Avni Skeja i dhuron mbi 5000 libra Universitetit të Prishtinës

18 Prill 2025
SHARE

Profesori për 45 vjet i Fakultetit Teknik dhe më pas Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike të Universitetit të Prishtinës, Avni Skeja, ka dëshmuar një herë më shumë se tërë jetën do të jetë në shërbim të universitetit numër një të vendit.

Ai ka dhuruar të gjithë librat e tij, më shumë se 5 mijë, për studentët dhe personelin akademik të UP-së, duke treguar se me pensionim nuk i ka dhënë fund angazhimit jetësor për bartjen e dijes te gjeneratat e reja.

Për këtë gjest fisnik, profesori Skeja në një ceremoni solemne të pranim — dorëzimit të këtyre librave, është pritur nga rektori Arben Hajrullahu, bashkë me prorektorët Albana Berisha-Qehaja, Avni Hajdari, Majlinda Gjelaj e Rozafa Basha, strukturat udhëheqëse të njësive akademike dhe përfaqësuesit e Bibliotekës Qendrore Universitare.

Duke shprehur dëshirën që veprimin e profesorit Skeja, ta ndjekin edhe të tjerët, pasi Universiteti i Prishtinës është i të gjithë qytetarëve të Kosovës, rektori Arben Hajrullahu e cilësoi dhurimin e librave si „rast shembull se çfarë mund e duhet të bëhet dhe në çfarë drejtimi mund të lëvizim si vend, si shoqëri, si universitet”.

Më tutje në fjalën e tij, rektori Hajrullahu profesorin Skeja e vlerësoi mjeshtër, ndërsa deklaroi se të gjithë ata që kanë kontribuuar për universitetin, na kanë sjellë deri këtu.

Profesori Avni Skeja tregoi se në koleksionin e librave të tij të dhuruar, të mbledhur gjatë tërë jetës dhe nga donacionet, ka libra për Fakultetin Juridik e Ekonomik, Departamentin e Gjuhës Angleze e Psikologjisë si dhe për Shkencat kompjuterike e politike.

Profesori Skeja pati një mesazh për studentët dhe personelin akademik të UP-së. Tha se „nëse dëshirojmë ta shohim vendin tonë duke përparuar, atëherë secili nga ne duhet të japë atë që mundet, qoftë një orë mësimi më shumë, një ide, një libër a një bashkëbisedim frymëzues me një student të ri”.

Skeja vlerësoi lart punën dhe vizionin e rektorit Arben Hajrullahu, sidomos përkushtimin e tij për meritokraci: „Dua ta shpreh mirënjohjen time të veçantë për rektorin e Universitetit të Prishtinës, i cili po e udhëheq këtë institucion me vizion dhe integritet, duke u bazuar në parimin e meritokracisë. Një vlerë që frymëzon dhe kontribuon për zhvillimin e sinqertë akademik”, tha profesori — dhurues i librave.

Librat e profesorit Skeja do të shkojnë për sistemim në Bibliotekën Qendrore Universitare dhe pastaj do t’u shpërndahen bibliotekave të njësive akademike të Universitetit të Prishtinës.