Universiteti i Prishtinës i pari për transparencë mes universiteteve të Kosovës

18 Prill 2025
SHARE

Universiteti i Prishtinës është vlerësuar më transparenti nga institucionet publike të arsimit të lartë të Kosovës në raportin „Transparenca Formale e Universiteteve Publike 2025”, të publikuar nga Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA).

Gjetjet e raportit të transparencës së universiteteve publike, i bëri të ditura, Liridona Ademaj, koordinatorja e monitorimit në ORCA. Ajo konstatoi se vit pas viti ka rritje transparence nga këto universitete.

Universiteti i Prishtinës në publikimin e vitit 2025, të shtatin me radhë nga kjo organizatë, u vlerësua me koeficientin e transparencës 0.94, duke u konsideruar kënaqshëm transparent, me mbi 90 për qind të dokumenteve dhe informacioneve të pritura, të bëra publike.

Pastaj në një panel diskutimi, të udhëhequr nga drejtori ekzekutiv i ORCA-s, Rron Gjinovci, për rezultatet e hulumtimit shfaqën mendimet e tyre rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, rektorët e universiteteve të Prizrenit, Gjilanit, Gjakovës, Kolegjit Ndërkombëtar të Biznesit në Mitrovicë, Mentor Alishani, Artan Dërmaku, Drilon Bunjaku e Mihone Kerolli dhe drejtoresha ekzekutive e BIRN Kosovës, Jeta Xharra.

Rektori Hajrullahu, në fjalën e tij, tha se mirëqeverisja e një institucioni publik të arsimit të lartë përbëhet nga dy elemente kyçe: transparenca dhe llogaridhënia, që bashkë me meritokracinë dhe ligjshmërinë janë parime drejtuese në punën e tij të deritashme si rektor dhe profesor në Universitetin e Prishtinës.

Drejtuesi i UP-së Hajrullahu, i mirëpriti sugjerimet e Jeta Xharrës, për rritje të vazhdueshme e të mëtutjeshme të transparencës në universitetin numër një të vendit, duke konstatuar se me mediat dhe shoqërinë civile „nuk jemi anë të kundërta, jemi e njëjta anë se qëllimin e kemi të njëjtë: të kemi universitete më të mira, më të arritura, më transparente dhe më të mirëqeverisura”.

Rektori Hajrullahu gjithashtu kërkoi dhe apeloi për informim objektiv të mediave si për rezultatet ashtu edhe për sfidat e Universitetit të Prishtinës, duke vlerësuar se „jemi universitet që e kemi anën e ndritur dhe shumica dërrmuese jemi në atë anë”.

Sivjet, raporti i ORCA-s „Transparenca Formale e Universiteteve Publike 2025”, universitetet i renditi në bazë të 36 dokumenteve e informatave të mbledhura për to, ndryshe nga vitet e kaluara kur vlerësimi u bë nga 28 dokumente e informata.