Në një bashkëbisedim me studentët dhe personelin mësimor të Universitetit të Prishtinës, të zhvilluar në sallën e Senatit, eurodeputeti Lukas Mandl foli, mes tjerash, për demokracinë, arsimimin, mediat, liritë dhe dinjitetin e njeriut.
Ai falënderoi studentët e pranishëm që kanë zgjedhur të qëndrojnë në Kosovë dhe të investojnë në ngritjen e reputacionit të vendit të tyre, duke konsideruar se kjo është e ardhmja.
Eurodeputeti Mandl pastaj foli edhe për kërcënimet e sigurisë dhe u tregua i shqetësuar se demokracitë janë nën presion kudo nëpër botë, ndërsa bëri thirrje që të mbrohen liritë dhe dinjiteti i njeriut. Ai tha se secili njeri vlen dhe duhet të trajtohet njësoj.
Mysafiri i lartë dhe i nderuar, për të gjitha çështjet që hapte për diskutim, shtronte edhe pyetje dhe kërkonte mendimin nga të pranishmit, ndërsa u përgjigjej edhe interesimeve të studentëve e profesorëve për probleme e dukuri të caktuara të shoqërisë njerëzore.
Mandl, në ligjëratën e tij përmendi edhe mediat dhe rolin e tyre në shoqëritë demokratike. Ai tha se ato duhet të raportojnë atë që ndodhë dhe të mos lëshohen në teori komploti.
Në fund u shfaq një video e shkurtër e aktiviteteve dhe rezultateve të Forumit Evropian „Alpbach”, një nisme që bashkon të rinjtë me mendje inovative nga fusha të ndryshme interesimi, me qëllimin për një Evropë të fuqishme e demokratike. Nga kjo nismë kanë përfituar edhe shumë studentë të UP-së.
Ligjërata e eurodeputetit austriak Mandl u moderua nga rektori Arben Hajrullahu, i cili më parë me ekipin e tij e mirëpriti atë në një takim të ndarë.