Takim për historinë, të vërtetën dhe gjeografinë si fat e mundësi

27 Mars 2025
SHARE

Në një takim të rektorit Arben Hajrullahu me kryetarin e Institutit të Historisë Turke, Yüksel Özgen, krahas të përbashkëtave mes dy popujve dhe bashkëpunimeve të tashme e të ardhme, u tha se historia e shkruar duhet të jetë e bazuar në të vërtetën, evidencën empirike dhe metodat shkencore.

Mysafiri Özgen citoi një fjali-porosi të themeluesit të Turqisë moderne dhe kryetarit të saj të parë, Mustafa Kemal Atatürk, se si të mos shtrembërohet historia. Atatürku, që nga ana e babait thuhet se ishte me prejardhje shqiptare, kishte deklaruar se „të shkruash historinë është e rëndësishme aq sa ta bësh historinë. Nëse ai që e shkruan historinë nuk i mbetet besnik atij që e ka bërë historinë, atëherë historia shtrembërohet”. Kjo porosi e Ataturküt, sipas kryetarit  Özgen, është e vendosur në hyrje të ndërtesës së Institutit të Historisë Turke.

Rektori Hajrullahu konstatoi se historia nuk duhet shikuar në skemën bardh e zi, ndërsa deklaroi se objektet kulturore e historike përpara se të konsiderohen si të ndonjërit nga popujt, janë trashëgimi e njerëzimit.

Kryetari Yüksel Özgen, propozoi që në qershor, kur shënohet dita e lindjes dhe e vdekjes së Sami Frashërit, një personaliteti shumë të rëndësishëm për të dy vendet, të organizohet në Kosovë një konferencë shkencore e përbashkët që do t’i kushtohet jetës dhe veprës së tij. Ai përmendi si mundësi edhe shkëmbimin e librave dhe bashkëpunimet mes historianëve dhe institucioneve të historisë së Turqisë dhe vendeve ku jetojnë shqiptarët.

Duke konsideruar se popujt e Kosovës dhe Turqisë kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe në të dy vendet ndihen më shumë si në shtëpi sesa si mysafirë, rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, ritheksoi se Universiteti i Prishtinës, dhe jo vetëm, është i gatshëm dhe shumë i interesuar për të çuar përpara bashkëpunimet ndërkombëtare.

I pranishëm në takim, dekani i Fakultetit të Filologjisë, Abdulla Rexhepi, teksa tregoi se janë përkthyer në gjuhën shqipe 33 vepra të Sami Frashërit, tha se njësia akademike që drejton, ka kapacitete për të organizuar ngjarje të përbashkëta për intelektualin e madh shqiptar.

Instituti i Historisë Turke, i themeluar para 94 vjetëve nga Mustafa Kemal Atatürku, është institucioni më i lartë për këtë disiplinë shkencore në Turqi dhe realizon studime të historisë së Turqisë, rajonit dhe botës. Deri tash ky institut ka publikuar 2500 tituj librash.