Dita e vendimeve njëzëri në Senat: Miratohet rregullorja dhe konkursi i doktoratave 2025/’26

26 Mars 2025
SHARE

Në mbledhjen e trembëdhjetë të Senatit të Universitetit të Prishtinës, të zhvilluar të mërkurën e 26 marsit 2025, pas plotësimeve dhe ndryshimeve, u miratua njëzëri Rregullorja e përgjithshme për studimet e doktoratës.

Miratimi i kësaj rregulloreje, i hapi rrugë shpalljes së konkursit për studimet e doktoratës nga Universiteti i Prishtinës për vitin akademik 2025/’26, i cili u votua në mënyrë unanime nga senatorët. Studime të doktoratës janë paraparë në 12 programe të pesë fakulteteve.

Në këtë mbledhje, pas diskutimeve, me votim të njëzëshëm të senatorëve, kaloi edhe Rregullorja për procesin e vlerësimit të brendshëm në procedurën e akreditimit dhe riakreditimit institucional dhe atë të programeve të studimit në Universitetin e Prishtinës.

Gjithashtu, me të gjitha votat për, u ratifikuan disa punime të doktoratave dhe u aprovuan tema të këtij niveli të studimeve, bashkë me mentorët e tyre. Universiteti i Prishtinës është i vetmi institucion i arsimit të lartë në Kosovë që organizon studime doktorate.

Senatorët, pa vota kundër dhe abstenime, miratuan edhe kërkesën e Fakultetit Juridik për angazhimin e ekspertëve të punësuar në institucione publike. Këta ekspertë nevojiten për të mbuluar orët në programet e Klinikave ligjore.

Senati miratoi edhe propozimin e Këshillit Botues të Universitetit të Prishtinës për emërimin e një redaktoreje  profesionale. Gjithashtu, në mbledhje, nga përfaqësuesit e Parlamenti Studentor u bë e ditur se Vigan Gërdovci do të jetë senator në vend të një studenti-senator që ka shkuar për vazhdim studimesh jashtë vendit.