Marrëveshje për aktivitete të përbashkëta mes Universitetit të Prishtinës dhe Fondacionit „Jahjaga”

25 Mars 2025
SHARE

Një memorandum mirëkuptimi është nënshkruar sot mes Universitetit të Prishtinës dhe Fondacionit „Jahjaga”, për dobinë e dyanshme dhe të mirën e përgjithshme.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori i Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu dhe presidentja Atifete Jahjaga, themeluese dhe udhëheqëse e Fondacionit „Jahjaga”.

Duke uruar që gjithçka të ecën mbarë, presidentja Jahjaga memorandumin e nënshkruar e vlerësoi bazë të mirë për bashkëpunim konkret, ndërsa rektori Hajrullahu deklaroi se nga ky bashkim forcash do të bëhen punë të mira.

Me memorandum synohen nisma të përbashkëta në fushën e edukimit, kërkimit shkencor dhe zhvillimit profesional të studentëve dhe personelit akademik, me qëllimin që të përmirësohet cilësia e arsimit në Kosovë.

Një pikë e veçantë dhe domethënëse e memorandumit është edhe organizimi i vizitave të vazhdueshme të studentëve të Universitetit të Prishtinës në ambientet e Muzeut „Çast” të Fondacionit „Jahjaga”, që u kushtohet të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Rektori Hajrullahu gjatë takimit dhe nënshkrimit të memorandumit u shoqërua nga prorektorët Rozafa Basha e Avni Hajdari, ndërkaq nga Fondacioni „Jahjaga” në Rektoratin e UP-së erdhën edhe Egzona Bexheti, drejtoresha ekzekutive e këtij fondacioni dhe Bleona Hajdari, këshilltare e presidentes së parë grua të Kosovës.

Presidentja Jahjaga i dhuroi rektorit Hajrullahu një punim filigrani të bërë nga duart e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, bashkë me disa numra të revistës së Fondacionit, të titulluar „Za”, ndërsa mori dhuratë plaketën e Universitetit të Prishtinës.