Suksesi i radhës: UP-ja lidhet me Universitetin Southern Methodist të Dallasit

17 Mars 2025
SHARE

Një memorandum mirëkuptimi është nënshkruar sot mes Fakultetit Juridik të Universitetit të Prishtinës dhe Shkollës së Drejtësisë Dedman të Universitetit Southern Methodist (SMU) në Dallas të Teksasit.

Memorandumi u nënshkrua nga rektori Arben Hajrullahu, zëvendësdekani për programet diplomike dhe ndërkombëtare në Shkollën e Drejtësisë Dedman të SMU-së, Martin L. Camp dhe dekani i Fakultetit Juridik, Avni Puka.

Me të parashihet, mes tjerash, që studentët e Fakultetit Juridik të UP-së të mund të studiojnë në shkollën e tyre partnere në Amerikë dhe që ndërmjet dy fakulteteve, universiteteve dhe studentëve të thelohet bashkëpunimi.

Para se të nënshkruhej memorandumi, mysafiri i lartë amerikan, zëvendësdekani Camp, tha se ata studentë kosovarë që do të marrin dije në Dallas të Teksasit, do të jenë edhe ambasadorë të Kosovës, ndërsa kur të përfundojnë studimet e tyre amerikane, do të bëhen edhe ambasadorë të Dallasit e Teksasit në Kosovë.

Rektori Hajrullahu, duke e mirëpritur nënshkrimin e memorandumit, tha se njëri nga qëllimet kryesore të Universitetit të Prishtinës është fuqizimi i vazhdueshëm i ndërkombëtarizimit dhe shkëmbimi i sa më shumë studentëve dhe profesorëve me universitetet tjera.

Në takim dhe ceremoninë e nënshkrimit të memorandumit ishte e pranishme edhe prorektorja për ndërkombëtarizim dhe zhvillim akademik, Rozafa Basha dhe juristi i shkolluar edhe në Shkollën e Drejtësisë Dedman të Universitetit SMU, Getoar Mjeku, që është gjithashtu zëvendësministër i Ekonomisë.

Zëvendësdekani i kësaj shkolle të drejtësisë, Martin Camp, që për herë të parë erdhi në Kosovë, mbajti po sot ligjëratë në Fakultetin Juridik të UP-së për „Detyrimet Etike të Avokatëve në Shtetet e Bashkuara: Mbrojtësit e Sundimit të Ligjit".