Në një takim të rektorit Arben Hajrullahu, prorektores Majlinda Gjelaj dhe profesorit të Fakultetit të Arteve, Blerdi Malushi, me kryetarin e Parlamentit Studentor, Plaurat Krasniqi dhe studentët-senatorë Albrim Rudi e Florian Shala, u fol për promovimin e Universitetit të Prishtinës te të rinjtë në prag të vendimmarrjes për karrierën e tyre të ardhme.
Rektori Hajrullahu, në takim, e përmendi edhe një herë se gjatë mandatit të tij do të angazhohet pa kompromis dhe fuqishëm për ligjshmëri, meritokraci dhe profesorë kompetentë dhe me integritet akademik që e çojnë universitetin përpara.
Ai u tha kryetarit dhe senatorëve të Parlamentit Studentor që gjatë aktiviteteve të tyre, para nxënësve që do të bëhen studentë, ta promovojnë figurën e vërtetë të Universitetit të Prishtinës.
Kryetari i Parlamentit Studentor, Plaurat Krasniqi, teksa deklaroi se komunikimi dhe diskutimi i problemeve, sfidave e rezultateve mes Rektoratit dhe organizatës që drejton, po shkon shumë mirë, u zotua se do të punojë vetëm për interesat e Universitetit të Prishtinës, në mënyrë që nesër të dalë ndonjë e mirë edhe për studentët pasardhës.
Në takim, prorektorja për zhvillim institucional, cilësi dhe çështje studentore, Majlinda Gjelaj, foli për nevojën që të shtohen aktivitetet e studentëve, në mënyrë që jeta studentore në kampusin e UP-së të pasurohet, e të bëhet më interesante, ndërsa profesori i Fakultetit të Arteve, Blerdi Malushi, tha se do të jetë në shërbim të studentëve për promovim të UP-së, derisa dha edhe ide konkrete se si të bëhet ky promovim.
Universiteti i Prishtinës që sivjet festoi 55 vjetorin e themelimit, është universiteti më i vjetër, më i madh dhe më i suksesshëm i Kosovës dhe i rendituri më së larti në platformat prestigjioze ndërkombëtare nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të hapësirave ku jetojnë shqiptarët.