Universiteti i Prishtinës ka arritur një sukses të jashtëzakonshëm, duke u pozicionuar në vendin e 10-të në renditjen globale të edicionit të 9-të të „Inspireli Awards 2024” – një nga garat më prestigjioze studentore ndërkombëtare në fushën e arkitekturës, dizajnit dhe inxhinierisë së ndërtimit.
Ky vlerësim është rezultat i përkushtimit të vazhdueshëm të studentëve tanë, të cilët përfshihen në konkurse ndërkombëtare si pjesë e kurrikulave akademike në Fakultetin e Arkitekturës.
Në veçanti, renditja në Top 10 është arritur falë suksesit të projektit „Sustainable Village – ECOUNITY” në kuadër të projektit më të gjerë „Schindler‘s Ark” me lokacion në Çeki, i cili u shpall fitues në verën e vitit 2024.
Projekti, i realizuar nga studentët Sibora Ramadani, Eron Shala, Bleranda Hykosmoni dhe Albina Zenunaj, nën mbikëqyrjen e prof. asst. Rozafa Basha, u vlerësua si më i miri në kategorinë e tij. Nën drejtimin e profesoreshës, e cila aktualisht mban postin e prorektores për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, studentët prezantuan një koncept inovativ për një fshat ekologjik që u përshtatet nevojave të kohës dhe zhvillimeve shoqërore. Për ta parë projektin shihni vegëzën https://www.inspireli.com/en/awards/detail/7557
Kjo arritje u kurorëzua edhe me ceremoninë e dorëzimit të certifikatës zyrtare të renditjes për Universitetin e Prishtinës, e cila u bë nga fituesi i mëparshëm i „Inspireli Awards” dhe anëtari aktual i jurisë, Lendrit Krasniqi, së bashku me studentin dhe senatorin Florian Shala, konkurrentin e sivjetëm të kësaj gare. Në ceremoni mori pjesë edhe dekania e Fakultetit të Arkitekturës, prof. Violeta Nushi.
Ky sukses u shtohet arritjeve të vazhdueshme të Universitetit të Prishtinës në „Inspireli…”. Vitin e kaluar, UP-ja u rendit në vendin e 14-të ndër 1320 universitete nga mbarë bota, falë 3 projekteve fituese të studentëve të Fakultetit të Arkitekturës për resortin turistik „Miris Garden” me lokacion në Zarë të Kroacisë, të përzgjedhur nga 163 projekte konkurruese nga 38 vende.
Konkurse si „Inspireli AWARDS” u ofrojnë studentëve mundësi unike edukative dhe i ekspozojnë ata në arenën globale të praktikës arkitekturore. Ky rezultat është një dëshmi e qartë e përkushtimit të studentëve tanë, mbështetjes së stafit akademik dhe fuqisë së komunitetit tonë universitar për të arritur suksese ndërkombëtare.